Agjencia Zhurnal.mk.

Korridore për jetë apo ikje!

Mersel Bilalli

Kur menduam se më në fund e kishim varrosur frymën nacionaliste dhe po shkonim drejt normalitetit, dikush spërkati një helm të rrezikshëm në menunë e këtyre njerëzve që gjithnjë e më shumë humbin të afërmit dhe veten drejtë një bote tjetër, më normale! Nacionalizmi shkatërron shpirtin e një kombi dhe të ardhmen e tij. Sikur nuk dimë t’i përballojmë institucionalisht dhe me qetësi të gjitha problemet apo mospajtimet dhe ia msyjmë histerisë mendore. E thërrasim menjëherë djallin për ndihmë dhe ai nuk vjen me fytyrë të përgjakur, dhëmbë të mprehtë dhe bisht prushi, por me të gjitha të mirat që duam!

Nuk është e diskutueshme që për çdo denarë të qytetarëve duhet kërkuar përgjigje, por duhet të kemi kujdes që të mos e hedhim foshnjën bashkë me ujin e flliqur. Është helm i tmerrshëm të thuash që Korridori 8 është një projekt i “Iliridës” së harruar prej kohësh! Të tilla janë edhe “analizat” e shumta të lyera me urrejtje, që hapin rrugën drejt ferrit. Dhe kushdo që ka njohuri në këtë çështje e di se ai korridor së bashku me Korridorin 10 janë enët kryesore të gjakut të shtetit. Sipas një logjike të tillë të ligë, edhe Korridori 10 do të ishte ndonjë projekt “Greko-madh” apo “Serbo-madh” pasi  kalon nëpër territoret e tyre! Ajo që është shumë interesante, tani Serbia po punon shumë për të hequr rëndësinë e Korridorit 8 me dinamikën e saj të ndërtimit të një autostrade dhe hekurudhe përmes Kosovës në drejtim të Shqipërisë për t’u lidhur me Italinë dhe tre kontinentet! Po ta kishim K-8, tani një pjesë e madhe e transportit serb, romun, bullgar, madje edhe turk do të ishte drejtuar drejt korridorit tonë.

Nëse do të kishin përfunduar komponentët kryesorë të Korridorit 8 dhe 10 (të paktën rrugët dhe hekurudhat), sot Maqedonia do të ishte një vend shumë më i zhvilluar dhe ndoshta anëtare e BE-së. Bullgarët nuk do të na kishin shantazhuar sepse një pjesë e madhe e transportit të tyre do kalonte përmes Maqedonisë. Do të kishte shumë më tepër investime të huaja dhe do të hapeshin shumë vende të tjera pune përgjatë korridoreve (pompa karburanti, restorante, hotele, motele, shërbime mekanike, dyqane etj.). Kompanitë vendore të transportit do të kishin qarkullim të madhe, plus do të paguheshin taksa  rugore, tatime etj. Këto janë miliarda euro të rënda. Por, inati nacionalist këto i hudhë në kënetë!

Korridoret si shpëtim!

Maqedonia ishte ndër të parat që filloi me dy korridoret (në vitin 1993), por më pas u ndal. Nëse do të kishte vazhduar me zbatimin e tyre, tani do të ishte lider në rajon. Tashmë e kemi humbur hapin me korridoret konkurruese në rajon që vazhdojnë të ndërtohen me shpejtësi, kurse ne po mbytemi në zënka dhe marrëzi.

Tani K-8 ka dy konkurrentë seriozë, kurse K-10 ka një, por një të fortë, gjë e cila e ka kther shtetin nga udhëkryqi ballkanik në një zorrë qorre. Përkatësisht nga ana veriore, Serbia dhe Shqipëria janë duke punuar intensivisht në lidhjen e tyre me autostradë dhe hekurudhore përmes Kosovës, edhe pse ende ka probleme të shumta të pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës. Por asnjë analist apo pretendent politik në Serbi, ndryshe nga këtu, nuk sulmon qeverinë serbe për shqiptarizimin e rrjetit të transportit! Serbia e di se ky është interesi i saj jetik ekonomik dhe gjeopolitik dhe mosmarrëveshjet janë të kalueshme. Serbia tani po punon intensivisht në autostradën Nish-Prishtinë, e cila tashmë është finalizuar deri në Prokuple dhe vazhdon deri në Merdar (kufiri me Kosovën), për t’iu bashkuar autostradës Prishtinë-Durrës. Dihet gjithashtu se një degë e rëndësishme e K-10 serbe (Nish – Stamboll), i heq një pjesë të mirë të fitimit që do të kishte marrë Maqedonia nëse do të ishin në funksion K-8 dhe K-10. Tani, nga Nishi deri në Sofje ka një orë udhëtim që vazhdon përgjatë Korridorit 4 drejt Greqisë (Selanik, Kavallë dhe Aleksandropolis).

Konkurrenti i dytë i K-8 tonë është “Via Egnatia”, i cili u vu plotësisht në përdorim në vitin 2009 nga Aleksandrupolis në kufirin greko-turk, e deri në Igumenicë (në detin Jon), me një gjatësi prej 670 km, dme vlerë prej mbi 7 miliardë euro, që është projekti më i shtrenjtë në historinë e Greqisë. Tani ajo merr trafik prej rreth 45 për qind të kapacitetit që duhej të ishte transportuar përmes K-8 tonë. Kjo për shkak të vonesës sonë. Nëse vazhdojmë të pengojmë korridoret tona, ata kanë një shans për t’u margjinalizuar totalisht dhe nuk do jenë rentabil. Do t’i ngjajmë një ishulli të shkretë të shmangurr nga të gjithë!

Shembulli i Serbisë në kohën e Millosheviqit tregon se sa shumë politika e keqe mund t’i dëmtojë korridoret. Këtu edhe Maqedonia pësoi humbje të mëdha. Kokëfortësia serbe asaj kohe e detyroi K-10 të margjinalizohej totalisht, dhe BE-ja të ndërtonte shpejt K-4 (nga Sllovakia, përmes Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë deri në Greqi). Kështu që transporti u transferua në atë anë. Serbia humbi dhe akoma humbë miliarda! Pasojat e asaj marrëzie ndihen edhe sot, sepse tani Korridori 10 ka rreth 50 për qind më pak trafik se kapaciteti i tij.

Realisht, Shqipëria nuk ka më shumë interes për K-8, sepse tashmë ajo është e lidhur si me veriun (nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë) ashtu edhe me jugun me “Via Egnatia” (Greqi) dhe nuk është gatshme prioritet t’i jep atij korridori me kosto të madhe. Duket sikur nuk ekzistojnë aso shansi që ne nuk e humbim në bixhoz!

K-8 nuk është vetëm rrugë dhe hekurudhë, por edhe shumë komponentë të tjerë (linja e transmetimit elektrik 400 kV, telekomunikacioni, tubacionet e gazit, linjat ajrore, tragetet, etj.). K-8 vazhdon për në Itali (Brindisi dhe Bari), duke u lidhur kështu me korridoret kryesore evropiane. Në fakt K-8 përfshin transportin multimodal të mallrave përmes rrjetit rrugor, hekurudhor dhe detar. Tani i gjithë treni futet në traget. Përkujtojmë se gazsjellësi që ishte planifikuar të kalonte përmes Maqedonisë dhe Shqipërisë në fillim të viteve ’90, tashmë kalon përmes Greqisë veriore dhe Shqipërisë jugore (gazsjellësi TAP i cili lidhet me gjigantin turk TANAP). SHBA anazhohej për vite që Maqedoninë dhe Shqipërinë t’i bëj udhëkryq trafiku ballkanik, por askush nuk mund të na japë asgjë me dhunë, qoftë edhe floriri. Mbajmë inatin e gomarit para urës!

Fatkeqësisht, mosndëshkimi i korrupsionit të lartë ka bërë që lufta për pushtet në vendin tonë të ngjajë në luftë gladiatorësh për jetë dhe vdekje, kurse urrejtja është vetëm një mjet ndihmës në këte luftë. Kam frikë se kështu do të zhdukemi të gjithë nga kjo tokë. Më se gjysma e popullsisë vitale tashmë na ka lënë pakthyeshëm! Parët e vjedhura na e vjedhin më të shtejtën!

Related posts

Se bëri BDI-ja a do ta bëjë VLEN-i? Heqjen e definicionit ofendues 20% për gjuhën shqipe!

I.A

Pa panik humbës apo fitues aty ku ka parregullsi duhet të përsëritet votimi!

I.A

Bashkëpunimi i VLEN mund të shpie në shkrirje drejt një partie të vetme!

I.A

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky