Shkup, 8 qershor – Situata në Kosovë për mos të thënë ka eskaluar është tejmase e tensionuar, e për këtë është aktivizuar i gjithë faktori ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për dyja palët. Kujtojmë që, tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë, u kundërshtuan nga serbët lokalë. Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre, ndërkaq, deri më tani mbi 30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar. Ajo që ngjallë interesim për publikun mbarë shqiptarë përkundrejt kësaj situate të krijuar është ndihma e krerëve shqiptarë që po i ofrohet Albin Kurtit, i cili siduket për qëllim mjaft fisnik ka ngelë i vetëm në këtë betejë. E ajo që është më irrituese në këtë situatë është heshtja e liderëve politik shqiptarë të shteteve tjera, të cilët u prononcuan me shumë vonesë. Megjithatë, përmbajtja e reagimeve të tyre ishte një tregues që më mirë fare mos të kishin reaguar, se sa me reagime pa përmbajtje e përkrahje. Edi Rama në prononcimin e tij për mediat ndërkombëtare, tha që “ndërkombëtarët kanë të drejtë Albin Kurti jo”, me këtë deklaratë ai veçse u pozicionua në anën e gabuar me ose padashje. Përveç kësaj, kur flitet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë përmes planit farnko-gjerman, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tre muaj më vonë tregon se edhe ky qenë pjesëmarrës në hartimin e këtij plani. Përfshirja e Rames në zgjidhjen e këtij “konflikti të ngrirë” është i dukshëm, por edhe gabimi i tij në pozicionim është poashtu i dukshëm dhe i turpshëm, shkruan Zhurnal.
Edi Rama tre muaj më vonë tregoi që edhe ky qenë pjesëmarrës në hartimin e planit franko-gjerman –
Plani franko-gjerman ka qenë shumë i përfolur pa pasur asnjë pikë konkrete të përmbajtjes së këtij plani deri në mbrëmjen e 27 shkurtit kur u zhvillua edhe takimi i rëndësisë së veçantë në Bruksel. Pasi, njëra palë në këtë rast Kosova është dakorduar për këtë plan dhe pala tjetër Serbia ka refuzuar, plani është publikuar. Por, vet publikimi i planit është përgjigje që edhe Serbia shumë shpejt do ta pranojë të njëjtin. Çfarë në të vërtetë përmban ky plan?
Plani përmes të cilit po tentohet të arrihet marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese. Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë. Kurti i vendosur se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq insiston në themelimin e tij.
E tre muaj më vonë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është prononcuar se edhe ky qenë pjesëmarrës në hartimin e këtij plani, duke dhënë detaje të reja lidhur me draftin e Asociacionit të cilin ua ka përcjellur Francës e Gjermanisë.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Sholz një draft të asosacionit për të cilën kam vënë në dijeni presidentin e Këshillit Evropan, Charles Michel, dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht nëse do vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës që bën atë që bën herët e tjera, palët nuk po merren dot vesh as jush do e shkruajë këtë tekst jo më çfarë do ketë ky tekst”, tha Rama.
Pra, sipas Rames pozicioni i Kosovës është i pakuptueshëm, përderisa Kosova ka pozicion shumë të qartë, dhe nuk po bënë asgjë tjetër pos asaj që është e ligjshme në shtrirjen e autoritetit ligjor në tërë territorin e Kosovës.
Ai tha se lutet që Kosova të mos ketë sanksione. “Serbia po bën atë që ka bërë e herët e tjera një kohë gjithnjë e gjatë nëse Kosova , uroj dhe lutem që të mos ndodhë, do sanksionohet për qëndrimin e saj”, tha Rama.
Por, nuk dihet se a lutet ngjashëm Rama sikurse deklarohet, sepse së fundmi gjatë një prononcimi të tij për media ndërkombëtare, tha që BE-ja dhe SHBA-të kanë të drejtë Albin Kurti jo, dhe kjo deklartë është në shpërputhje me lutjen e tij. Pasi, deklaratat e tilla janë nxitëse për sanksionim të Kosovës.
Rama dikur e luante edhe avokatin e Serbisë –
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, kur shqyrtohej raporti i rregullt gjashtëmujor për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuese ishte zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Por, ajo që e turpëroi çdo shqiptarë ishin qëndrimet e shprehura të kryeministrit, Edi Rama, ku përderisa Gërvalla në OKB thoshte që Serbia është satelit i Rusisë, Rama thoshte që Serbia nuk po shkon drejt Rusisë, mori anën e Perëndimit. Kjo, me fjalë të tjera është përpjekje e pashmangshme e Rames për të krijuar një pasqyrë krejtësisht tjetër për Serbinë, për të përmirësuar imazhin e Serbisë në arenën ndërkombëtare. Mes tjerash për atë se Serbia ka blerë armë nga Kina, gjë që ka sjellë reagimin e vendeve të Ballkanit si Kosova dhe Mali i Zi, reagim të ngjashëm nuk ka pasur nga Shqipëria por të kundërt, duke u ndjerë i sigurt që shteti mik i Edi Ramës po krijon sistem të mbrojtjes. Ai pati deklaruar se nuk është i shqetësuar në lidhje me armatimin e Serbisë.
Këto qëndrime dhe shumë të tjera, siç është edhe çështja e Ballkanit të Hapur ku vetëm Rama qëndron stoik në idenë e Vuçiqit, bëjnë që edhe përballë faktorit ndërkombëtar shqiptarët të jenë të pa unifikuar dhe të reflektojnë mungesë serioziteti e bashkëpunimi mes veti. Gjë e cila sjellë pastaj edhe qëndrimet jo të favorshme të ndërkombëtarëve në raport me shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti tani me presionin e ndërkombëtarëve kundrejt Albin Kurtit. /Zhurnal.mk