Kumanovë, 26 korrik – Kumanova do të përmirësojë sistemin e ngrohjes në objektet publike, do të gjelbërojë zonën duke mbjellë pemë dhe do të vendosë stacione matëse mobile për matjen e ndotjes së ajrit, njoftoi sot Komuna e Kumanovës.
Aktivitetet janë parashikuar në suaza të projektit “BE-ja për ajër të pastër”, i cili sot u promovua në Manastir në praninë e euroambasadorit Dejvid Gir dhe këshilltarit të UNOPS për Maqedoninë e Veriut Xhijani Volpin, ministres së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova dhe kryetarëve të komunave të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, të Manastirit, Toni Konjanovski dhe të Tetovës Bilall Kasami.
Nga Komuna informojnë se projekti është pjesë e programit të Bashkimit Evropian për ndihmë parainkuadruese – IPA 2021, ndërsa i referohet projekteve për përmirësimin e cilësisë të ajrit në Kumanovë, Manastir, Tetovë dhe Shkup.