Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën mbrëma ka zhvilluar bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Chollet dhe Kurti ndër të tjera kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Po ashtu, kanë folur edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
“Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MË. Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.
Qeveria tutje ka deklaruar se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Të mërkurën, Chollet ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit i ka thënë se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.