Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS, është i rëndësishëm për të njohur inovacione në biznes dhe për të krijuar lidhje të reja, raporton Ekonomia Online.
Në edicionin e 23-të të Panairit Ndërkombëtar EXPOKOS, kreu i ekzekutivit tha se njëkohësisht u ndihmon bizneseve që të ndërtojnë partneritete afariste.
“Kosova në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit dhe modernizimit në sektorin privat po shënon hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm, pozicionuar në një pikë strategjike në Evropën Juglindore. Vendi ynë ofron qasje të përshtatshme në tregjet evropiane në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend e investime miliardëshe. Ai përmendi edhe një Raport të Bankës Botërore që sipas tij e radhit Kosovën me rritjen ekonomike më të madhe në Ballkan.
“Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova udhëheq me rritjen e saj ekonomike në Ballkanin Perëndimor për periudhën 2023-2025 duke u shfaqur si model i suksesit dhe transformimit. Dyfishimi i eksporteve, rritja në punësim për 20 për qind krahasuar me pranverën e vitit 2021. Kosova planifikon projekte ambicioze që kalojnë shifrën 7 miliardë euro”, tha Kurti.


