Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Katarit, Ali Bin Hamad Al-Marri, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e këtij vendi në ballafaqimin me pandeminë coronavirus.
Siç thuhet në një komunikatë për media, kryeministri Kurti e falënderoi shtetin e Katarit edhe për lehtësimin e hapjes së ambasadës së Republikës së Kosovës në Doha, për përkrahjen e deritanishme në anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare dhe bëri thirrje që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje.
Kryeministri Kurti tha se Kosova është vend i përshtatshëm dhe me potencial për investitorë të huaj, me stabilitet politik dhe një qeveri të fokusuar në drejtësi dhe zhvillim ekonomik.
Ndërsa, ambasadori Al-Marri shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Katarit.