Pasardhësi i saj si lider i laburistëve dhe kryeministër, përballet me një test të madh në zgjedhjet e përgjithshme në tetor, pasi mbështetja për këtë parti është në rënie.
Për më shumë, Zelanda e Re pritet të hyjë në recesion në çerekun e ardhshëm të këtij viti.
Pavarësisht namit të madh global, Partia Laburiste e Ardernit po bie gjithnjë e më poshtë nëpër sondazhe.
Si shkaqe janë përmendur: kushtet e jetesës, niveli në rritje i krimit dhe shqetësimet për çështjet sociale.
Sondazhet e realizuara nga 1News-Kantas, të publikuara në dhjetor të vitit të kaluar, kanë renditur laburistët me 30 për qind mbështetje, në krahasim me 40 për qind mbështetje sa kanë pasur në fillim të vitit 2022.
Partnerja tradicionale e koalicionit të laburistëve, Partia e Gjelbër, gëzon 9 për qind mbështetje, çka nënkupton se laburistët nuk mund ta kenë shumicën.
Situatën e kanë bërë më kundërthënëse edhe masat e ashpra të Qeverisë për luftim të pandemisë së koronavirusit, politikat në infrastrukturë të ujit, vendosjen e taksave për metanin dhe diskutimet për bashkëqeverisje me komunitetin Maori.
“Fakti është që tani ajo është figurë polarizuese”, ka thënë Grant Duncan, profesor në Universitetin Massay.
Ka shumë mundësi që Ardern ka dhënë dorëheqje për t’i dhënë Partisë Laburiste një mundësi për të rifreskuar dhe për ripozicionuar veten para zgjedhjeve të tetorit, kanë thënë ekspertët.
“Ka potencial që lideri i laburistëve të ndërrojë partinë dhe ta bëjë më të fokusuar në çështjet që janë të fokusuar votuesit – në kushtet e jetesës, në inflacion dhe për t’u siguruar që ata që fitojnë më shumë, paguajnë më shumë taksa”, ka thënë Josie Pagani, ish-kandidate për udhëheqje të Partisë Laburiste.
Partia Kombëtare, parti konservatore, mund të jetë nxitur nga dorëheqja e Ardernit.
“Natyrisht, kjo i jep më shumë mundësi partisë për të fituar zgjedhjet”, ka thënë Bryce Edwards, hulumtues kërkimor në shkollën për qeverisje në Universitetin Victoria në Uellington.
“Jacinda Ardern ka qenë arma më e mirë e laburistëve, aseti më i mirë, mirëpo mendoj se ajo ka qenë edhe dikush që ka nxitur më së shumti lëkundje te votuesit”, ka thënë ai.
Partia Kombëtare ka thënë se do të shfuqizojë legjislacionin për infrastrukturën ujore që ka nxitur shumë debate.
Përmes një vendimi të tillë, konservatorët edhe mund të zbusin rregullat për emetimet bujqësore, dhe të kënaqin bazën rurale që e mbështet tradicionalisht.
“Partia Kombëtare ka shumë më shumë mundësi që të ketë simpatinë e bujqve dhe prodhuesve të bulmetit”, ka thënë Duncan.
Performanca e dobët e laburistëve në sondazhe mund të shkurajojë – ata që mund të jenë liderët më të mirë – që t’i hyjnë garës, prandaj kështu edhe ulen mundësitë e tyre për fitore në zgjedhje.
“Ata që kanë ambicie për pushtet mund të përmbahen nga gara tani”, ka thënë Eric Crampton, ekonomist në Institutin, The New Zealand Initiative.