Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur kryesinë e formacionit politik që ai drejton pas vendimit që mori Kuvendi për t’i hapur rrugë arrestimit të tij duke i hequr imunitetin e deputetit.
Në fjalën e tij para anëtarëve të kryesisë Berisha tha se grupi politik që ai drejton duhet të riorganizohet dhe duhet të konceptojnë edhe një herë betejën e opozitës sicc tha Berisha.
“Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga sa mendojmë ne, nga sa mendojnë drejtuesit tanë.
Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve të tyre”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, kjo është rruga e vetme e opozitës për të shkrirë akullin e frikës.
“Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.
Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët”, nënvizoi Berisha.
Ai shtoi se grupi politik që ai drejton duhet të bëjë gjithçka kundër kryeministrit Edi Rama.
“Kjo kërkon gjithashtu që secili nga ju, të dashur anëtarë të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja, të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet.
Ai, faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne duhet të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë.
Rruga është vetëm një: përballja, përballja, përballja me të”, tha Berisha.