Shkup, 16 gusht – Në Ministrinë e Drejtësisë në fazë përfundimtare është teksti për ligjin e ri për falje, për të cilin, siç paralajmërohet, në kohë sa më të shpejtë do të përgatitet draft – version. Ndryshimi më i rëndësishëm që parashihet është se Presidenti do të mund të falë vetëm për dënim, ndërkaq jo edhe për ndjekje penale të disa personave të caktuar.
Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n thonë se shkaqet për sjellje të ligjit të ri për falje dalin, para së gjithash, nga mungesa dhe zbrazëtirat juridike në Ligjin ekzistues për falje (Gazeta zyrtare e RMV-së” nr. 20/93, 12/09 dhe 99/16), ng aspekti i zbatimit të tij praktik, si dhe nga nevoja për normatizim më të saktë të disa çështjeve të caktuara të rregulluara me ligjin dhe nga rregullimi më adekuat legjislativ i materies. Përveç kësaj, thonë nga Ministria, për shkak të domosdoshmërisë së urgjencës së procedurës me ligjin parashihen afate për veprim të pjesëmarrësve në procedurën për falje, ndërsa është bërë edhe harmonizimi terminologjik i disa emërimeve dhe termeve të caktuara.
“Me propozimin ligjin rregullohen termet dhe llojet e faljeve, veprimi i faljes, personat e autorizuar për parashtrim të lutjes për falje, si dhe procedura dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është se Presidenti mund të japë falje vetëm për dënim, ndërkaq jo edhe për ndjekje të disa personave të caktuar. Risia e dytë e rëndësishme e paraparë në Propozimin e ligjit është formimi i Komisionit në suaza të Ministrisë së Drejtësisë i cili përgatitë mendim të arsyetuar me shkrim për lutjen të cilën Ministria e Drejtësisë së bashku me raportin për lutje ia parashtron Presidentit. me këtë zgjidhje pritet të tejkalohen rreziqet e deritanishme të mundshme lidhur me të drejtat e diskrecionit të ministrit të Drejtësisë”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Mjaft të rëndësishme janë, siç cekin, edhe zgjidhjet me të cilat hollësisht është përpunuar procedura për falje.
“Në atë drejtim, janë paraparë afate të shkurta për secilin nga institucionet të cilët janë të kyçur në procedurën për falje. Me atë rast, kyçe janë edhe dispozitat për përgjegjësi kundërvajtëse të personave të cilët veprojnë sipas lëndëve”, informojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Falja si institut është një nga kompetencat themelore kushtetuese të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të konfirmuara me nenin 84 të Kushtetutës së RMV-së. Falja është përmbajtur edhe në nenin 114 të Kodit penale me të cilin rregullohen çështjet materialo-juridike të faljes. Korniza juridike e cila hollësisht e rregullon këtë materie për herë të parë është vendosur në vitin 1993 dhe deri më tsni është ndryshuar dhe plotësuar dy herë dhe atë në vitin 2009 dhe në vitin 2016.