Shkup, 12 dhjetor – Votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të LSDM-së në të gjitha 194 vendvotimet po zhvillohet pa probleme, pa vonesa në një atmosferë të qetë dhe demokratike, duke respektuar masat për mbrojtje nga koronavirusi, njofton partia.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 14:00 kanë votuar 27.248 anëtarë të LSDM-së, përkatësisht 47 për qind e anëtarëve të regjistruar aktivisht.
Votimi zgjat deri në orën 19:00.
Pas mbylljes së vendvotimeve dhe përpunimit të të dhënave të marra, sonte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i LSDM-së do t’i shpallë rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brendapartiake.
“LSDM vendos standarde të reja, më të larta në skenën politike maqedonase dhe në demokracinë maqedonase, LSDM e zgjedh kryetarin e saj në zgjedhje brendapartiake, të drejtpërdrejta”, thuhet në komunikatën e partisë.