“Ma dogjën krijesën time”, Arllati kritikon Gjinin dhe Kusari-Lilën për mosmbrojtjen e Muzeut
Muzikologu Behar Arllati ka reaguar pas djegies së Muzeut të Muzikës në Gjakovë, duke thënë se “kjo barbari tejakaloi çdo barabari të serbëve”.
Ai akuzoi qeverisjen e tanishme të Ardian Gjinit dhe atë të mëhershmen nga Mimoza Kusari-Lila, duke thënë se asnjë nga ta nuk ishte në gjendje të vënte mbikqyrje për Muzeun.
“Barbaret s’u ndalen. E thyen, e vodhen e plaçkiten gjithe çka kishte brenda, e tjetersuan si objekt, ia hoqen shkallet qe te mos kishte mundesi te ngjitej lart njeri dhe me ne fund, e dogjen barbaret, e dogjen gjakovaret qe dine veç te rrahin gjoks pa bere gje, e dogjen krijesen qe me aq mund e krijova nen mbeshtetjen e Prof. Meriton Ferizi sa ishte drejtor komunal per kulture. Nje objekt qe u rivitalizua me 2012, me 2014 bera projektin qe ta ktheja ne Muze te Muzikes. E furnizuam me ish-nxenesin tim Meritonin, shembull te profesionistit, me tekste, libra te vjeter, fotografi te rralla te vjetra, instrumente lloj-lloj te vjetra, partitura, shirita te vjeter manjetofoni, kaseta te dikurshme me shirita, instrumente muzikore te demtuara gjate luftes se vitit 1999 qe tregonin barbarite serbe por kjo barbari, tejkaloi çdo barbari te serbeve. Kjo barbari e kafsheri e bere nga ne, flet qarte se ne jemi larg civilizimit europian, madje edhe larg menyres fisnore te jeteses afrikane. Ky akt flet se ne s’e duam vetveten, se ne s’e durojme suksesin e Beharit e Meritonit apo te tjereve sepse ka penguar dike qe te perfitoje, se ne jemi armiq te vetes tone”, shkroi Arllati në Facebook.
“E dogjet nje krijese qe me aq mund e ngritem ne kembe. As qeveria komunale e Mimoza Kusarit e as kjo e Ardian Gjinit s’qe ne gjendje te ndaje dy-tre paga si mbikqyrje te Muzeut”.
“Turpi s’hahet me buke perveç se ne Gjakove. Kriminelet s’do t’i mbuloje dheu”.
“Ma dogjet krijesen o te Poshter”.
“TURP E FAQJA E ZEZE E TURPI JU MBULOFTE O BARBARE”, përfundoi ai.
Komuna e Gjakovës: Në objektin e djegur nuk ishte asnjë artefakt i muzeut të muzikës
Komuna e Gjakovës ka reaguar pasi Muzeu i Muzikës në qytet u përfshi nga zjarri. Derisa shprehet keqardhje për rastin aty thuhet se brenda objektit nuk ishte asnjë artefakt i muzeut të muzikës.
Sipas Komunës së Gjakovës, të gjitha elementet që kanë vlera historike e artistike kanë shpëtuar.
Gjithashtu, theksohet se janë në pritje të hetimeve të policisë për të kuptuar shkakun e zjarrit.
Ndërsa është bërë e ditur se objekti i Tabhanës do të rindërtohet vitin tjetër nga buxheti komunal.
“Ajo çfarë ka ndodhur sonte me objektin e Tabhanes, është një lajm i keq për Gjakovën, lajm i cili na ka shokuar e indinjuar të gjithëve. E presim hetimin e policisë për ta kuptuar shkakun e zjarrit. Përveç keqardhjes, në këtë moment është i rëndësishëm fakti se në objektin e djegur nuk ka qenë asnjë artefakt i muzeut të muzikës. Pra, të gjitha elementet që kanë vlera historike e artistike kanë shpëtuar. Ajo çfarë mund të themi tjetër është informata e sigurt se objekti i Tabhanës do të ri-ndërtohet vitin tjetër nga buxheti komunal.”, thuhet në reagim.
Për zjarrin në objektin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë u raportua në orët e pasditës derisa u bë e ditur se nuk ka persona të lënduar.
Zjarri në Muzeun e Muzikës, policia: Po bëjmë përpjekje për lokalizim, nuk raportohet për pasoja në njerëz
Policia në Gjakovë ka bërë të ditur për rtv21.tv se bashkë me zjarrëfikësit janë duke bërë përpjekje për lokalizimin e zjarrit në Muzeun e Muzikës.
Zëdhënsi Sheremet Elezaj tha se nuk është raportuar për pasoja në njerëz.
“Në këto momente është duke u djegur Muzeu i Muzikës në Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe Njësia e Zjarrfikësve të cilët janë duke bërë përpjekje për lokalizimin e zjarrit. Nuk është raportuar për pasoja në njerëz”, thuhet në përgjigjen e Elezajt për rtv21.tv.
Digjet Muzeu i Muzikës në Gjakovë
Objekti i Muzeut të Muzikës “Taphane” në Gjakovë është kapluar nga zjarri.
Qytetarë të shumtë kanë publikuar fotografi dhe video që tregojnë se objekti i tërë është përfshirë nga flakët.
Shkaqet për zjarrin ende nuk dihen, ndërkohë që rtv21.tv ka dërguar pyetje në organet kompetente për rrethanat që shkaktuan zjarrin.