Shkup, 9 janar – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq sot mori pjesë në mbledhjen e tetë të Këshillit nacional përeurointegrime, kushtuar programit dhe prioriteteve të kryesimit suedez me Këshillin e BE-së, ku theksoi se pret që muajt në vijim të fokusohen në zbatim të shpejtë të reformave dhe të ndryshimeve kushtetuese.
“Periudhën në vijim na pret transformim intensiv i shoqërisë sonë, përgatitje e Udhërrëfyesve për sundim të së drejtës dhe për reforma në administratën publike, përfundimi i ndryshimeve kushtetuese dhe procesi i skriningut”, tha Mariçiq duke shtuar se ka mjaft kohë dhe hapësirë që t’i përfundojnë me sukses ndryshimet kushtetuese, për ruajtje të dinamikës së procesit të negociatave dhe evitimit të vetos së re, kësaj radhe nga faktori ynë politik, pritje të sërishme dhe vënien e shtetit në qorr-okak dhe paqartësi.
Në fillim, zëvendëskryeministri Mariçiq e uroi ambasadoren e Mbretërisë suedeze, Ami Larson Xhein, për marrjen e kryesimit të radhës me Këshillin e Bashkimit Evropian dhe theksoi se është me rëndësi të madhe përkushtimi i Suedisë në procesin e integrimit evropian dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.
“Është e qartë se lufta në Ukrainë nxitë jetësim të politikës së zgjerimit të BE-së. Kriza e sigurisë konfirmoi se bashkimi është çelësi për stabilitetin në Evropë dhe rajon, por edhe tregoi se Maqedonia e Veriut është partnere kredibile dhe e vërtetë e BE-së, me 100 për qind harmonizim me politikën e jashtme evropiane”, theksoi Mariçiq.
Mariçiq e falënderoi kryesimin çek dhe ambasadorin Ludva, për vendimet historike të cilat u bënë gjatë gjashtë muajve të kaluar për të ardhmen e eurointegrimeve të vendeve nga Ballkani Perëndimor, në kohë të sfidave të mëdha për vendet nga BE-ja dhe për Unionin në tërësi.
“Gjatë kryesimit çek, Maqedonia e Veriut pas 17 viteve e bëri hapin historik në rrugën drejt BE-së, i filluam negociatat me BE-në. Tani, më me rëndësi është të gjithë së bashku të qëndrojmë konsekuentë ndaj qëllimit tonë strategjik, dhe të sigurojmë vazhdim të negociatave me BE-në”, tha Mariçiq, duke shtuar se duhet të bashkohen rreth çështjes për të ardhmen evropiane të vendit dhe me konsensus politik qytetarëve t’u sigurohet stabilitet, prosperitet, mundësi të reja, standarde evropiane dhe funksionim të shtetit në bazë të parimeve dhe vlerave evropiane.
“Pres të gjithë të jenë në nivel të detyrës së vet, ndërkaq më së shumti pres nga institucionet dhe nga Kuvendi, të ndërmarrin përgjegjësi dhe të tregojnë proaktivitet, për zbatim të shpejtë dhe të hollësishëm të agjendës reformuese evropiane dhe në vitin 2030 Maqedoninë e Veriut ta fusim në Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri.
Në mbledhje, paraqitje të vet pati edhe ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë. Ami Larson Xhein, e cila i prezantoi prioritetet e kryesimit, nën slloganin “Më gjelbër, më sigurt dhe më lirshëm”.
Në fokus të kryesimit të vet, ajo tha se Qeveria suedeze i parashtroi çështjet lidhur me: ruajtjen e unitetit evropian dhe përforcimin e sigurisë, konkurrencës, agjendës së gjelbër dhe politikës energjetike dhe përforcimin e vlerave demokratike dhe sundimin e së drejtës.
Euroambasadori Gir, në paraqitjen e tij potencoi se periudha prej tani e deri në zgjedhjet e rregullta në vitin 2024 është kohë për t’u “shtyrë” reformat më përpara dhe të bëhen ndryshime kushtetuese. Ajo shtoi se si prioritet mbetet siguria, bashkimi i BE-së, eurointegrimi i Ballkanit Perëndimor dhe përgjigja e përbashkët ndaj sfidave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, duke potencuar se BE-ja po përgatitë pako të re të ndihmës për tejkalimin e pasojave nga kriza energjetike dhe ekonomike.
Mariçiq konfirmoi se deri më 30 qershor të këtij viti që do të zgjasë kryesimi suedez me BE-në, do të punojnë dorë për dore me Suedinë, sepse sipas tij, vetëm me unitet mund të kontribuojmë në përparimin e së ardhmes sonë evropiane dhe të ardhmes së Evropës.
“Jam i bindur se do t’ia dalim këto gjashtë muaj t’i shfrytëzojmë për përparim dhe intensifikim të reformave, ndërsa gjatë kryesimit spanjoll, ta sigurojmë procesin e negociatave me BE-në dhe të ardhmen evropiane të vendit”, theksoi Mariçiq, duke cekur se me atë Maqedonia e Veriut hyn në fazën e ardhshme të eurointegrimeve dhe do ta mbajë Mbledhjen e dytë ndërqeveritare me BE-në.