Agjencia Zhurnal.mk.

Mbaroi viti shkollor me probleme të vjetra – mjaft eksperimenteve me të ardhmen e fëmijëve tanë!

Shkruan, Zhurnal.mk

Shkup, 13 qershor – Pjesë që më së shumti ka pësuar tronditje në historinë e fundit të Maqedoninë e Veriut është arsimi. Thuajse çdo vit flitet për reforma e ndryshime të reja, por problemet ngelen ende te vjetra dhe të dëmshme. Çdo ministër që vjen në krye të këtij dikasteri fillon të bëjë ndryshime sipas planeve të tij, por në fund rezultatet nuk janë askund.

Dhe, duke parë se si po sakatohet arsimi vazhdimisht, thjeshtë konstatohet se në Maqedoninë e Veriut po bëhen eksperimente e që po shkatërrojnë të ardhmen e rinisë së këtij vendi.

Sipas reformave të fundit të cilat planifikon t’i bëjë qeveria parashikohet që nga muaji shtator reforma do të përfshijë klasën e gjashtë të arsimit fillor, me bashkimin e lëndëve mësimore në dy grupe, në lëndën e shkencave të natyrës dhe lëndën shoqërore, që do të përfshijnë lëndët e deritashme: Gjeografi, Histori, Kimi, Fizikë, Biologji etj.

Sipas projektimeve të Ministrisë së Arsimit, me këtë reformë që ka nisur të zbatohet nga viti 2020, fillimisht me paralelet e ciklit të ulët, synohet që nxënësit e klasave të gjashta të mos kenë më shumë se pesë apo gjashtë lëndë nga më shumë se dhjetë sa kanë aktualisht, shkruan zhurnal.mk.

Reforma pas një viti do të përfshijë klasën e shtatë dhe viteve të tjera klasat e teta dhe nënta.

Sindikatat e konsiderojnë se bashkimi i lëndëve të Gjeografisë, Historisë, Etikës, Arsimit qytetar, Fizikës, Kimisë, Biologjisë, Informatikës në disa lëndë nuk është gjë tjetër përveçse eksperiment në arsim. Kjo rrezikon mundësinë e uljes së fondit të orëve dhe paraqitjes së tepricës teknologjike, apo largimeve nga puna.

Reformat nuk mund të bëhen njëanshëm, reformat nuk mund të bëhen pa konsensus me ata të cilët janë të përfshirë në procesin edukativo-arsimor. Problemi kryesor me reformat është se ata pësojnë ndryshime të shpeshta, por edhe mungesa e librave, ka bërë që të ulet cilësia e arsimit, gjë të cilën e konfirmojnë dhe rezultatet gjithnjë e më të dobëta që tregojnë nxënësit në testin PISA.

Në shkollat e Maqedonisë së Veriut ende mungojnë kushtet elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor, ndërsa nga ana tjetër kërkohet digjitalizimi apo aplikimi i librave elektronik.

Digjitalizimi i teksteve shkollore është prioriteti kryesor i Ministrisë së Arsimit dhe ka nisur me klasat e para dhe të katërta, për t’u zgjeruar nga shtatori edhe me klasë të tjera, por edhe pse kjo duket një gjë shumë e mirë në shikim të parë, duhet të qartësohet se në shumë shkolla e në veçanti në zonat rurale kanë mungesë të kushteve elementare për mësim. Ne ende kemi shkolla pa kanalizim, pa tualete, pa dërrasa të zeza, shkolla që mezi arrijnë të sigurojnë edhe drutë për ngrohje e të mos flasin për internet.

Në vitin shkollor që po mbyllet në fund të qershorit nxënësit kanë pasur vështirësi të shumta, sidomos me librat që ishin në formë digjitale, por nuk kanë pasur mundësi të kenë qasje. Ka pasur nxënës që nuk ka pasur as mjete apo teknologjinë e duhur.

Nga të dhënat e Asociacioni të Analistëve dhe Hulumtuesve të Rinj nga Shkupi të cilët kanë zhvilluar një hulumtim lidhur me infrastrukturën dhe pajisjen tekniko-teknologjike të 799 shkollave fillore dhe rajonale në Maqedoninë e Veriut thuhet se në 30 shkolla fillore dhe rajonale në Maqedoninë e Veriut nuk ka objekte sanitare, për ndërtimin e së cilave, sipas analizës së bërë, nevojiten 378 mijë euro.

Sipas hulumtimit, edhe në ato shkolla ku ka internet, mungojnë pajisjet kompjuterike. Në një shkollë rurale të Shkupit me 1,758 nxënës, ka vetëm tetë kompjuterë.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka paralajmëruar se nga shtatori nxënësit do të kenë edhe libra të shtypur për të mos mbetur pas ato zona që kanë problem me internetin apo arsye të tjera që pamundësojnë qasjen në librat elektronikë.

Reforma janë paralajmëruar edhe në çështje të tjera si ndryshimi i programeve mësimore, orëve mësimore, kualifikimi i mësimdhënësve, sistematizimi i vendeve të punës e risi të tjera, që sipas Ministrisë së Arsimit do të jenë në funksionin të ngritjes së cilësisë në arsim.

Më e rëndësishmja është që jo vetëm të futen programe mësimore në emër të reformave, por programe të cilat janë të nevojshme dhe të pranueshme për sistemin tonë të arsimit.Për çdo obligim në sistemin e ri arsimor, duhet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e një reforme të tillë

Fatkeqësisht, arsimi fillor dhe i mesëm u përballën edhe me protesta e bojkot të mësimit për paga më të larta për punonjësit e arsimit. Problemet e tilla mund të rikthehen në shtator, bazuar në paralajmërime e Sindikatës së Arsimit, nëse institucionet nuk i përmbahen marrëveshjes për rritjen e pagave dhe zbatimin e marrëveshjeve kolektive.

Andaj, edhe ky vit përfundoi me probleme të vjetra që po bëhen në emër të reformave të reja, e që më së shumti po e pësojnë nxënësit e studentët, që çdo ditë e më shumë të ardhmen e shohin në ikjen nga ky shtet!

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky