Shkup, 14 maj – Agonia zgjedhore ende nuk ka përfunduar. Gati është e qartë se kjo agoni do të vazhdojë edhe 8 ditë tjera, respektivisht deri më 22 maj, kur bëhen dy javë (14 ditë) nga raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe nga zgjedhjet parlamentare. Kjo me gjasë do të jetë data kur do të kemi përsëritje të votimeve në disa vendvotime, deri sa ende po pritet epilog i shqyrtimit të ankesave prej KSHZ-së, që më pas mund të ankimohen edhe në Gjykatën Administrative.
Sado që përmasat e “raundit të tretë” janë shumë më të vogla se raundi i parë dhe i dytë, megjithatë pesha e tij mund të jetë mjaft e madhe. Kjo veçanërisht mund të thuhet për peshën që “raundi i tretë” do të ketë te kampi politik shqiptar, ku mund të nryshojë shumë gjëra në (ç)ekuilibrimin e dy koalicioneve zgjedhore që garuan përballë njëra tjetrës, shkruan Zhurnal. Tashmë dihet se parregullsitë e konstatuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), sjellin në pikëpyetje së paku një deputet të Frontit Evropian në njësinë zgjedhore 6. Në rast se pranohen edhe disa ankesa tjera, mund të vijnë në pikëpyetje dy mandate të Frontit. Nëse një mandat shtesë fitohet nga koalicioni VLEN, atëherë raporti do të ulet në 18:14, nga 19:13 që është tani. E nëse fitohen dy, atëherë raporti do të ulet në 17:15, që do të ishte vetëm dy deputetë dallim në favor të BDI-së.
Plus-minus 1 ose 2?
Një ndryshim i tillë eventual, që nuk është edhe aq lehtë të ndodhë, do të ndryshonte në tërësi debatin aktual që po zhvillohet lidhur me legalitetin dhe legjitimitetin e përfaqësimit të ardhshëm të shqiptarëve në Qeveri. Fronti Evropian insiston se është bartëse e legjitimitetit shqiptar për t’i përfaqësuar në Qeveri, kurse një ndryshim eventual i numrit të deputetëve në favor të koalicionit VLEN, do t’i forconte edhe më tepër pretendimet e tyre se përfaqësojnë pa diskutim legjitimitetin shqiptar, kurse legjitimiteti i Frontit Evropian është i përzier.
Vendimet e fundit të KSHZ-së kanë ndryshuar pak a shumë diskursin e debatit politik tek kampi shqiptar. Tani kemi një BDI, respektivisht Frontin Evropian që reagon me tone opozitare. Arbër Ademi nga ky Front, ka shprehur shqetësimin e tij për një marrëveshje që sipas tij po cenon legjitimitetin e votës së lirë të qytetarëve.
Sipas Ademit, marrëveshja në fjalë synon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në favor të partive maqedonase dhe në dëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i hequr këtij të fundit dy deputetë – një në zonën 6 dhe një në zonën 5. Ai ka theksuar se kjo marrëveshje është instrumentuar në mënyrë të dyshimtë dhe pa asnjë vrejtje gjatë ose pas procesit zgjedhor.
“Tre ditë me rradhë ne po alarmojmë opinionin për një marrëveshje të jashtëligjëshme, duke ushtruar trysni tek antarët e KSHZ-së, për minim të legjitimitetit që qytetarët e kanë dhënë me vullnet të lirë.
Marrëveshja është mas VLEN-it dhe partive maqedonase që t’i merren BDI-së dy deputetë një në zonën 6 dhe një në zonën 5. a një marrëveshje mes njerëzve aty ku është instrumentuar i gjithë ai marifet. Është shumë e çuditshme sepse edhe gjatë dhe pas procesit zgjedhor nuk ka pasur asnjë vrejtje.
Po bëhet një inxhinjering, ku kanë parë se edhe për pak vota mund t’i duhet njërës partie për të bërë një mandat të ri, vetëm e vetëm që të merren mandatet nga fronti. VMRO-ja po konteston këtë rezultat si fituese e zgjedhjeve, kjo është e habitshme”, tha Ademi.
VLEN reagon në stilin “e kemi kapur hajdutin”!
Mirëpo krejt ndryshe ka reaguar koalicioni ende opozitar, VLEN, reagimi i të cilëve është në stilin “e kemi kapur hajdutin”, shkruan Zhurnal. Përfaqësues të koalicionit “VLEN” në Tetovë në konferencë për shtyp publikuan shembuj të shkeljeve të Kodit Zgjedhor në njësinë e gjashtë zgjedhore. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Fatmir Sabriu, ka sqaruar në emër të koalicionit se kjo është bazuar në pranimin e ankesave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
“Dje me vendim të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve edhe njëherë u dëshmua se Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka kapacitet dhe kredibilitet për të implementuar zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duke vepruar në bazë të ankesave të Koalicionit VLEN të parashtruar për disa vendvotime në zonën e 6 zgjedhore si dhe duke u mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor vendosi që të hap kutitë e votimit për 7 vendvotime ku në 4 prej tyre u konstatuan parregullsi edhe atë: në vendvotimin 2101, vendbanimi Llërcë, Komuna e Zhelinës u konstatua se në kutinë e votimit ka 1 votë më shumë në favor të Frontit Evropian sesa votues të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, në vendvotimin 0387 vendbanimi Gostivar dhe vendvotimin 1953 vendbanimi Tetovë pati korigjim të rezultatit zgjedhor pasiqë vota të pavlefshme janë numëruar dhe llogaritur si vota të Frontit Evropian”, theksoi Sabriu.
Sipas Sabriut, “Fronti Evropian ka shkelur vullnetin e qytetarëve”. “I ashtuquajturi Front Evropian duke keqpërdorur të gjitha mekanizmat e pushtetit në mënyrë flagrante ka shkelur dhe deformuar vullnetin e qytetarit duke implementuar “trenin bullgar” siç janë rastet tanimë të konfirmuara me vendim të KSHZ-së në Likovë dhe Llërcë si dhe duke numëruar vota të pavlefshme në llogari të Frontit dhe BDI-së. Imagjinojeni vetëm me 7 kuti të votimit të hapura u konstatuan parregullsi dhe vjedhje e votës në 4 prej tyre. Kjo dëshmon qartë se pse BDI sot është në panik. Ata janë në panik jo vetëm se do të shkojnë në opozitë dhe do të mbajnë përgjegjësi për keqpërdorimet dhe shkeljet e ligjit, por gjithashtu sepse dje me hapjen e kutive u vërtetua se ata përmes keqpërdorimit të mekanizmave të pushtetit, kërcënimeve, shantazheve, presionit dhe trenit bullgar kanë tentuar që të deformojnë vullnetin e popullit dhe rezultatin zgjedhor”, theksoi zëdhënësi i Lëvizjes Besa.
Ai në fund tha se “shqiptarët më 8 Maj e fituan lirinë dhe sot frymojnë lirshëm”. “BDI po shkon në opozitë dhe më nuk do të ketë mundësi që duke shfrytëzuar aparaturën shtetërore drejtpërsëdrejti të ndikoj në rezultatin zgjedhor. Është koha për përgjegjësi, për një qeveri e cila do të luftoj krimin dhe korupsionin, do të garantoj zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe integrimin europian. Deformuesit e vullnetit të popullit dhe rezultatit zgjedhor do të mbajnë përgjegjësi dhe do të japin llogari para organeve të drejtësisë”, u shpreh Sabriu.
Reagimet nga të dyja palët përmbajnë shkëndija nervozizmi, me çka vërehet pesha e madhe e 22 majit (raundit të tretë të zgjedhjeve) për taborin politik shqiptar. Në këtë ditë, një numër i vogël i votuesve shqiptarë, në një numër edhe më ët vogël të vendvotimeve, mund të përcaktojë në masë të madhe zhhvillimet e përgjithshme politike në katër vitet e ardhshme./Zhurnal