Tetovë, 20 prill – Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” ka reaguar ndaj kumtesës të Komunës së Tetovës dhe ka theksuar se nuk kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve ndërtimore në rrugën “Strasho Pinxhur”. Ata sqarojnë se si këshilltarë nuk kanë asnjë funksion ekzekutiv në komunën e Tetovës, andaj nuk kanë mekanizma për të ndalur apo vazhduar punën në qytet.
“Më mirë për Tetovën” nuk ka kërkuar ndalim të punës në rrugën “Strasho Pinxhur”, vendimi për ndërprerjen e punës është vullnetar dhe është vendim i njëanshëm i kryesisë së Komunës së Tetovës. Në punën e deritanishme “Më mirë për Tetovën” gjithmonë është udhëhequr nga interesat e qytetarëve dhe parimi i kontributit konstruktiv. Kështu, ne vëmë kapacitetet tona në shërbim të Komunës për të gjetur zgjidhje për problemet me të cilat përballemi të gjithë. Për më tepër, ne nuk kemi kërkuar shkëmbim të vendeve të punës apo shërbimeve për punën që bëjmë. Ndërsa këshilltarët tanë rregullisht dhuronin pagat e tyre për projekte për të mirën e qytetit. Këto janë dëshmi bindëse për qasjen tonë pozitive ndaj Tetovës dhe banorëve të saj, thonë nga nisma.
Më pas thonë se reagimi i tyre i djeshëm lidhet me shqetësimin e qytetarëve për dëmtimin e mjedisit dhe mënyrën jotransparente të punës.
“E shprehëm publikisht shqetësimin tonë dhe për hir të transparencës kërkuam sqarime. Kryesia e komunës ka premtuar publikisht se do të ndalojë prerjen e panevojshme të pemëve dhe do të prezantojë elaborate që arsyetojnë nevojën për prerje të tjera. I rikujtojmë opinionit të gjerë se kryesia e re e komunës është betuar se mjedisi dhe transparenca janë shtyllat kryesore për të cilat angazhohen. Por veprimi i djeshëm dhe ndërprerja vullnetare e punës sot dëshmojnë të kundërtën. I bëjmë thirrje kryesisë komunale që të kapërcejë mentalitetin destruktiv, të qëndrojë konsekuent me premtimet parazgjedhore dhe mbi të gjitha të vendosë në radhë të parë interesat e qytetarëve. Fabrikimi i mosmarrëveshjeve në dëm të qytetarëve për përfitime politike është i paarsyeshëm dhe përkon me mentalitetin e së kaluarës, për të cilin tetovarët shpresonin se nuk do të përsëritej, theksojnë nga “Më mirë për Tetovën”.
Për të shmangur manipulimin me publikun, ata i bëjnë thirrje kryesisë së Komunës që të paraqesë prova me të cilat nisma e tyre kërkon ndërprerjen e punimeve në rrugën “Strasho Pinxhur”. /Zhurnal.mk