Shkup, 28 korrik – Edhe pse Parlamenti ka kohë që nuk funksionon për shkak të krizave të ndryshme politike, kështu që një numër i madh ligjesh ende presin të miratohen, fotografia në Parlamentin e Maqedonisë mbetet e pandryshuar. Mungesa e kuorumit për punë për shkak të mungesës së një pjese të deputetëve është arsyeja pse shpesh bëhet nervoz kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili nga ana e tij vazhdimisht i thërret deputetët të sillen me përgjegjësi dhe siç thotë ai, ta meritojnë rrogën e tyre. Për shkak të pamundësisë së sigurimit të kuorumit, Xhaferi të premten e kaluar u detyrua të ndërpresë seancën e paraparë dhe njoftoi se do të propozojë seancë për shpërbërjen e Parlamentit.
Nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” thonë se deputetët nuk duhet të mungojnë dhe duhet maksimalisht të përkushtohen që procesi legjislativ të mos pësojë. “Së dyti, shpenzimet e udhëtimit më në fund duhet të reduktohen dhe të rregullohen në mënyrë më rigoroze sepse janë baza kryesore e abuzimit të deputetëve dhe pranisë së tyre në Parlament, dhe aspekti i tretë është përfundimisht ndryshimi i modelit zgjedhor në pjesën e listave të hapura ku deputetët të cilët nuk do të vinin në seanca siç është tani, pra ata që nuk e vlerësojnë rolin e dhënë nga qytetarët, nuk do të mund të ndahen nga zgjedhjet e ardhshme, kjo mund të bëhet vetëm përmes listave të hapura, ku, jo partitë, por qytetarët do të vlerësojnë se kush meriton të jetë në parlament dhe kush është dinjitoz për atë pozitë”, thotë Marko Troshanovski, nga Instituti për Demokraci.
Në Rregulloren e punës së Parlamentit janë të përcaktuara qartë të drejtat dhe detyrat e deputetëve. Në të thuhet se deputeti i cili pengohet të marrë pjesë në seancën e Parlamentit është i obliguar që ta njoftojë Kryeparlamentarin para fillimit të seancës. Neni 31 i Rregullores thotë: “Deputeti që mungon të paktën tre herë radhazi në seancat e Parlamentit, dhe nuk e ka njoftuar kryeparlamentarin, i hiqet 5% e pagës për çdo ditë mungesë, për të cilën sillet akt nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime”. Për pjesëmarrjen e deputetëve në seanca mbahet fletë procesverbali, i cili hapet gjatë seancës dhe në fund të ditës së punës i dorëzohet kryeparlamentarit. Të drejtën e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve ditore kanë vetëm deputetët e regjistruar në regjistër. Por pikërisht këtu bëhen abuzimet, vijnë deputetë, regjistrohen si pjesëmarrës për të marrë kompensimin dhe më pas nuk marrin pjesë në seanca. Pas mungesës së kushteve për mbajtjen e seancës së 79-të të premten, Xhaferi ka zhvilluar një takim edhe me kryetarët e partive nga shumica parlamentare, pas së cilës kabineti i kryeparlamentarit ka lëshuar një kumtesë ku thuhet se “kjo sjellje tregon se për deputetë të caktuar, prioritet është diçka tjetër, mos ushtrimi i mandatit që u është besuar nga qytetarët”. Kryeparlamentari po ashtu theksoi se nëse ka dallime në qëndrime të caktuara brenda koalicionit, ato duhet të zgjidhen në një nivel tjetër, jo në sallën plenare.
Sipas analistëve, për shkak të shumicës së ngushtë parlamentare dhe raportit të forcave politike brenda, problemet me kuorumin janë të pritshme, por kjo reflekton drejtpërdrejt në efikasitetin e punës së Parlamentit. “Sigurisht, nga 63, 64 deputetë të shumicës, disa ndonjëherë kanë një arsye të justifikuar për të mos ardhur në seancë dhe opozita mund ta përdorë këtë për të bllokuar Parlamentin, gjë që unë ende mendoj se është e papërgjegjshme“, thotë Troshanovski.