Agjencia Zhurnal.mk.

“Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, një libër nga studiuesi Selim Ibraimi

Roli destabilizues i Moskës në Ballkan

Të shtunën në Tetovë u promovua libri i gazetarit dhe analistit shqiptaro-amerikan, Dr. Selim Ibraimi, ” Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”. Botimi paraqet një hulumtim disa vjeçarë i autorit për rolin e Moskës në Ballkan. 

“Dr. Selim Ibraimi bën përpjekje serioze ta identifikojë qartë interesin dhe planet ruse për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha, t’i identifikojë metodat e veprimit të Rusisë drejt realizimit të qëllimeve qofshin ata qëllime afat shkurta, qëllime afat mesme ose qëllime afat gjata”. “Jo rastësisht ai është përcaktuar që ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor ta analizojë prej më shumë kënd vështrimeve e që ta bind publikun e këtyre shteteve se, ndikimi i Rusisë ka një të kaluar historike, ka të tashmen dhe me siguri do të ketë edhe një të ardhme”, thotë prof. dr. Etem Aziri në recenzionin e tij.  “Jo rastësisht autori në shqyrtimet përfundimtare jep edhe disa vlerësime se si duhet të veprojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor që ta parandalojnë ose minimizojnë ndikimin rus në vendet e tyre”.

Ai thotë se libri, ”Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” në përgjithësi i shikuar është i ndarë në dy tërësi, dy pjesë që ndërlidhen fuqimisht me njëra tjetrën dhe paraqesin një tërësi logjike. Pjesa e parë ka të bëjë me aspektin teorik ndërsa pjesa e dytë me aspektin empirik. Libri përcillet me një bibliografi tepër të pasur kryesisht të autorëve të jashtëm që ndikon në rritjen e cilësisë të problematikës që trajtohet, e cila vetvetiu është interesante dhe sfiduese.  

Ndikimi rus në vendet e Ballkanit Perendimor do të zhvillohet për aq, sa atë do të lejojnë SHBA-të, vendet e BE-së dhe elitat politike të shteteve të Ballkanit Perendimor.

Sipas Etemit, vendet e BE-së duhet të tregojnë një fleksibilitet më të shprehur për vendet që ardhmërinë e shohin në familjen e madhe evropiane, ndërsa qeveritë dhe elitat politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor as në teori e as në praktikë të mos luhaten, ”ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. 

“Marë në përgjithësi, libri i Dr. Selim Ibraimit, ”Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” paraqet një kontribut shumë domethënës dhe do të jetë i mirëseardhur për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, studentë, intelektual por edhe njerëz të rëndomtë të cilët duan të mësojnë diçka më shumë për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë Aziri.

Sipas recenzentit dhe albanologut bullgar Anton Pançev, studimi “Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor” është ndër librat më të rëndësishëm në fushën e gjeopolitikës sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit.

“Federata Ruse është ndër aktorët kryesorë në këtë rajon dhe aspektet e politikës së saj duhet të hulumtohen nga këndvështrime të ndryshme”. Sipas Pançevit, Dr.Selim Ibraimi prezanton një hulumtim origjinal që trajton tema senzitive dhe vendimtare për zhvillimin e gjithanshëm të Ballkanit në përgjithësi, sepse këto tema prekin në mënyrë serioze edhe vendet e tjera ballkanike, si edhe komunitetin euroatlantik.

“Autori i ka trajtuar të gjitha aspektet e ndikimit rus në Ballkan, strategjitë dhe instrumentet e këtij ndikimi. Paraqitja e retrospektivës historike për shfaqjen dhe rritjen e interesimit rus ndaj Ballkanit dhe të projekteve të ndryshme ruse për përfshirjen e kësaj zone në “sferën ruse” ndihmojnë kuptimin e politikës së tanishme të Moskës ndaj rajonit”. Analiza e propagandës ruse tregon veglat e “fuqisë së butë” dhe operacionet hibride ruse. Me shumë rëndësi janë analizat e rolit të energjisë dhe të armatimeve në strategjinë ruse për Ballkanin. Pikërisht me këto instrumente Rusia e shtrin më së shumti ndikimin e saj në Ballkan. Sipas tij në libër janë shqyrtuar edhe aspekte të tjera të politikës ruse ndaj Ballkanit që e bëjnë monografinë një studim të kompletuar.

Sipas profesor Anton Pançevit “cilësia e punimit shtohet edhe më shumë me përdorimin e dokumenteve zyrtare ruse, që përcaktojnë elemente nga strategjia ruse për Ballkanin, si edhe me shfrytëzimin e burimeve të ndryshme në mënyrë kritike dhe krahasimtare”.

Vlerësuesi, profesor Xhelal Zejneli tha se Rusia ka tentuar dhe tenton aktualisht të penetrojë në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij në shënjestër janë shqiptarët në Ballkan nga Rusia.

“Rusët nuk do t’ia dalin t’i nënshtrojnë shqiptarët”. Për sa i përket botimit, ai tha se libri ka një  bibilografi të pasur dhe të pavarur, duke mbajtur në kujdes referimet akademike. Zejneli tha më tej se “gjatë tre qind viteve, Rusia po punon kundër shqiptarëve, duke theksuar Konferencën e Berlinit, Londrës e deri në  gjendjen aktuale të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. “Rusia po i bën presion Serbisë që të mos pranojë asnjë marrëveshje me Prishtinën dhe çështja të shndrohet në një problem të ngrirë të përhershëm”. Zgjidhjen sipas tij e pengon Putini.

Ndërsa, sipas vlerësuesit tjetër publicistit dhe profesor Abdulla Mehmetit, promovimi i librit vjen në një kohë të duhur të rrethanave ndërkombëtare.

“Tema më e ndalur të flitet me dekada ka qenë ndikimi rus mbi botën shqiptare”. Sipas tij ndikimi rus është sistematik, i drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë i tërthortë në të gjitha format. Ai tha se ndikimet e kanë dëmtuar cështjen shqiptare. Memeti tha se vepra e Ibraimit ka një kufizim gjeografik rajonal dhe përqendrohet në zhvillimet dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor gjatë 20 viteve te fundit, ku sipas tij ka një histori të theksuar të ndikimit rus. Memeti shtoi se  shumë pak autorë e kanë trajtuar këtë problem në botën shqiptare. “Autori i ka arritur qëllimit me këtë botim”, tha ai. Ndikimi rus do të mbetet i pranishëm. Ky është libri i katërt i Dr. Ibraimit në fushën e gjeopolitikës dhe luftës hibride në Ballkan.

Related posts

Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Redaksia

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinjtë” burokratë

Xh M

Pajaziti: BDI po i nënçmon edhe ata që ia bënë “yzmetin”

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky