Dibër, 12 mars – Në kopshtin “Breshia” në Dibër nuk ka fëmijë të pavaksinuar me DiTePer, ka konfirmuar për media drejtoresha Ajrie Daçi.
Sipas saj, në këtë institucion që kujdeset për 330 fëmijë, deri më tani asnjë fëmijë nuk është infektuar me kollën e mirë, por situata po monitorohet me kujdes dhe po bëhen kontrolle të rregullta.
Në shërbimin e vaksinimit në Spitalin e përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar, imunizimi kryhet në mënyrë të vazhdueshme, i cili, siç konfirmojnë përgjegjësit, vjen si rrjedhojë e faktit që prindërit sjellin rregullisht fëmijët e tyre, sipas kartonit të vaksinimit.
Gjatë vitit të kaluar, përqindja e mbulimit me imunizimin e fëmijëve në komunën Dibër dhe Qendër Zhupa, të cilat mbulohen nga spitali i Dibrës, është 95 për qind, që është një rënie prej 2 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo është si pasojë e shpërnguljes së familjes në një qytet tjetër të vendit ose jashtë vendit.