Agjencia Zhurnal.mk.

Në RMV në vitin 2022 ende nevojë bazike janë ndërtimi i shkollave dhe rrugëve

Shkup, 16 qershor – Në vitet e fundit numri më i madh i atyre që kanë braktisur vendin janë kryesisht të rinj që përfundojnë shkollat e mesme, një pjesë e të diplomuarve, por edhe ata që janë të punësuar. Kjo me automatizëm ulë numrin e qytetarëve që jetojnë në vend dhe të fëmijëve që regjistrohen në shkolla fillore dhe të mesme. Por, edhe përkundër kësaj ende mbesin nevojat e njëjta sikurse Maqedonia e Veriut të jetë pavarësuar dje, që ndërtimi i rrugëve dhe shkollave të jetë nevojë bazike kur diskutohet për destinimin e mjeteve të buxhetit i cili është duke u diskutuar në Kuvend javës së fundit, shkruan Zhurnal.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë kësaj jave po debaton për rishikimin e buxhetit të shtetit, në anën tjetër shihen zërat se nevojat e qytetarëve janë që këto mjete të investohen në projekte të cilat do të përmirësonin cilësinë e jetesës. Kjo dëshmon se ende qytetarët e RMV-së përballen me kushte mesjetare, me mungesë rrugësh e shkollave.

Infrastruktura mbetet ende temë diskutimi e kërkesë parashtrimi kur rishikohet buxheti i shtetit. Megjithëse, nuk dihet se ku shpenzohen saktësisht mjetet e buxhetit të shtetit, pasi tërë kohën institucionet e caktuara kërkojnë mjete plotësuese për realizimin e projekteve kapitale si për rrugë, shkolla apo objekte shëndetësore, ndërkohë që këto projekte mbeten të papërfunduara dhe nga ana tjetër, shteti thellon borxhin publik dhe askush nuk përgjigjet për këtë. Ja një shembull, autostrada Kërçovë – Ohër mbetet projekt i pa përfunduar me vite. Tani thuhet se do të kushtojë 200 milionë euro më shumë nga ajo që ishte paraparë, në fillim të planit për këtë projekt. Ngjashëm është situata edhe me autostradën Shkup – Bllacë.

Kjo tregon qartazi që prolongimi i projekteve sjellë pasoja direkte në buxhetin e shtetit duke iu rritur vlera projekteve, që pastaj përshkak të vlerës së rritur stërzgjaten edhe më shumë pasi duhet të kërkojnë mjete për huazim.

Nga buxheti i shtetit, përpos për rrugë duhet të ndahen mjete edhe për projekte për të rinjtë. Projekte konkrete për aktivitete sportive, projekte për biznesin e sportit, mjete që do të lehtësonin kushtet e pavarësisë së të rinjve nga jetesa me prindërit. Kjo do të ishte një shtytje dhe kontribut që një pjesë e të rinjve të ndalen në vend, dhe të shohin perspektivë për të ardhmen e tyre.

Sepse çdo ditë e më tepër rritet numri i të rinjve që dëshirojnë të largohen nga vendi, tanimë jo vetëm përshkak të kushteve ekonomike, por edhe përshkak të mungesës së meritokracisë, drejtësisë, e shpresës për një të ardhme të ndritur në vend.

Megjithatë, një pjesë e buxhetit duhet të destinohet edhe për shkolla e kopshte për fëmijë. Sepse është e pakuptimit në kohën e tanishme kur dy prindërit e kanë të patjetërsueshme për të punuar për të mbijetuar, e fatkeqësisht për fëmijët e tyre nuk ka kush të kujdeset sepse pothuajse në secilin qytetet në proporcion me numrin e fëmijëve parashkollor ka mungesë të çerdheve. Gjë që e pamundëson punën për dy prindërit, dhe kjo pastaj vështirëson mirëqenien sociale dhe si pasojë vjen dëshpërimi e zhgënjimi që kurorëzohet me ikje nga vendi.

Gjatë kësaj jave debati në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është zhvilluar me përplasje midis pushtetit dhe opozitës se cilët duhet të jenë prioritetet e rishikimit të buxhetit. Në bazë të projeksioneve për rishikimin e buxhetit, të ardhurat në arkën e shtetit pritet të arrijnë në 4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet 4.7 miliardë.

Për këtë arsye shteti planifikon të marrë 900 milionë euro borxh, kurse nuk përjashtohet mundësia që huamarrja të jetë edhe më e lartë duke tejkaluar madje një miliard euro. Si çdo herë edhe këtë herë shpresa e vetme mbetet te borxhet që të arrihet një funksionim normal, përndryshe rrezikohet për një falimentim total.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, rishikimin e buxhetit të shtetit e ka arsyetuar me ruajtjen e stabilitetit ekonomik në kushte krize.

“Shuma prej 54.5 milionë denarë së bashku me borxhin që duhet të shlyhet këtë vit, do të financohet me huamarrje dhe kredi të brendshme dhe huamarrje të jashtme. Kjo do të mundësojë financimin e paketave të ardhshme për përballimin e krizës, objektivi i ndihmës për qytetarët do të vazhdojë dhe rishikimi i buxhetit do të jetë përgjigje ndaj rritjes anti-krizë të pagës minimale, pensioneve dhe transferave sociale dhe subvencioneve për fermerët”, ka thënë Besimi.

Por, për partitë opozitare, rishikimi paraqet një tregues të qartë se shteti është në prag të falimentimit. Përderisa socialdemokratët në pushtet janë arsyetuar se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve do të destinohet për qytetarët që të përballen me lehtë me krizën e rritjes së çmimeve.

Ndryshe, tani në mes të krizës ekonomike autoritet shtetërore nuk po e shohin të arsyeshme të intervenojnë në zbutjen e çmimeve të ushqimeve bazë, dhe të derivateve të naftës. Intervenimi direkt duhet të bëhet duke ulur vlerën e TVSH-së, ngjashëm sikurse ishte vepruar muaj më parë, që çmimet të jenë të përballueshme për qytetarët, përndryshe do të krijohet një revoltë kolektive për rrëzimin e institucioneve keq menaxhuese të shtetit. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky