Shkup, 30 dhjetor – Fillon ndërtimi i shkollës fillore në Vizbeg në Komunën e Butelit, në një sipërfaqe prej 12 029 metër katrorë dhe me kapacitet prej mbi 500 nxënës, kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Kontrata e lidhur për punët ndërtimore të objektit është në vlerë prej 106.590.812,00 denarë me TVSH, ndërsa afati për realizimin e kontratës parashihet të jetë 18 muaj.
“Me ndërtimin e këtij objekti bashkëkohorë shkollor, i cili përfshin hapësirë për rekreacion dhe sport, plotësohen nevojat dhe kërkesat afatgjata të banorëve të këtij vendbanimi. Me ndërtimin e shkollës së re do të plotësohen nevojat për zhvillim ekonomik të kësaj pjese të qytetit”, thekson MASH-i.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës me shpejtësi investon në modernizimin e sistemit arsimor dhe arsimin cilësor për çdo fëmijë. Gjatë periudhës së kaluar, përveç objekteve të reja, renovimit dhe rehabilitimit të objekteve ekzistuese, për të cilat në vitin 2021 ishin paraparë 1 miliard denarë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka investuar në planprograme të reja, pajisje, mjete mësimore dhe mjete mësimore ndihmëse si dhe 260 kabinete të reja për shkencat natyrore
“Me këto investime bëjmë transformimin e sistemit arsimor kombëtar përmes të cilit inkurajojmë potencialin e plotë të çdo nxënësi. Gjithashtu investojmë në promovimin e kuadrit mësimor, i cili është çelësi i arsimit cilësor, për të cilin ofrohet trajnim dhe mbështetje e vazhdueshme”, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.