Varshavë, 20 shtator – Ministrat për arsim nga 16 shtete të Evropës, në mesin e të cilëve është edhe Maqedonia e Veriut,sot në Varshavë të Polonisë nënshkruan marrëveshje të re për vazhdimin e CEEPUS – Programit të Evropës Qendrore për shkëmbimin e studimeve universitare IV, që mundëson lëvizshmërinë e studentëve, profesorëve dhe shkencëtarëve dhe bursën për arsimim dhe ngritjen profesionale të tyre të mëtejshme.
Siç bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së re me vlerë deri në vitin 2032, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi i deritanishëm mes vendeve pjesëmarrëse në program vazhdon dhe kjo, siç tha, “konfirmon se jemi një familje e madhe dhe e bashkuar e cila funksionon me sukses, duke siguruar perspektiva të reja të kapitalit njerëzor si bazë e përparimit të përgjithshëm të rajonit”.
„”Dëshiroj që të rritet numri i relacioneve të vendosura të shkëmbimeve të realizuara akademike. Ky është thelbi i këtij bashkëpunimi, i cili po arrin më shumë rëndësi në kohën kur arsimi dhe shkenca po ndërkombëtarizohen me shpejtësi të madhe dhe diplomat e përbashkëta kanë gjithnjë e më shumë vlerë”, tha Shaqiri, duke ju përkujtuar se Maqedonia e Veriut është pjesë e programit CEEPUS për 18 vjet.
Ministri theksoi se pas kthimit në Shkup, informacionet për marrëveshjen e re do t’i ndajë me shkencëtarët, punonjësit hulumtues, profesorët akademikë dhe studentët duke bërë apel që të vazhdojnë të krijojnë dhe të shfrytëzojnë shansën në kuadër të programit.
Megjithatë, ai më herët u bëri thirrje shkencëtarëve, profesorëve dhe studentëve nga vendet e tjera që të vizitojnë Maqedoninë e Veriut, sepse, siç theksoi ai , edhe pse jemi një vend i vogël në zhvillim, ata kanë diçka për të mësuar nga ne.
„ Ne kemi sistem arsimor që po përparon me shpejtësi dhe shkencë në të cilën bëhen investime intensive. Kemi praktika pozitive me të cilat krenohemi, si reformë themelore në arsimin fillor dhe të mesëm e cila aktualisht është duke u zbatuar, modernizim të plotë të laboratorëve të institucioneve shkencore dhe të arsimit të lartë, rritje drastike të mjeteve për financimin e projekteve shkencore me interes publik dhe modernizimin e laboratorëve në kuadër të institucioneve shkencore dhe të arsimit të lartë”,potencoi Shaqiri.
Shtoi se me kryqëzimin e përvojave dhe ideve, pret që të gjitha vendet të ndërtojnë një rajon dhe vend më të mirë për qytetarët që të jetojnë dhe punojnë së bashku.
Programi i Evropës Qendrore për shkëmbimin e studimeve universitare IV (CEEPUS) është program rajonal për mobilitetin akademik, në të cilin, përveç Maqedonisë së Veriut, aktualisht marrin pjesë edhe Shqipëria, Austria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia., Republika Çeke, Hungaria, Mali i Zi, Polonia, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Kosova. Ky program filloi të zbatohej në vitin 1994 dhe vendi ynë iu bashkua në vitin 2005.