Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti numri i fluturimeve në Kosovë ka shënuar rritje për 60%. Vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti kanë qenë mbi 2 mijë operime, ku ky numër është mbi 43 përqind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Mirëpo, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) po vuan mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror pasi vetëm viteve të fundit 10 të tillë janë larguar nga Kosova për shkak të kushteve më të mira në vendet e tjera. Kjo po rrezikon seriozisht shërbimin 24 orësh që ofron aktualisht ASHNA.
Zëdhënësi i ASHNA-s, Driton Ujkani, deklaroi për KosovaPress se numrat e fluturimeve për periudhën janar-qershor të këtij viti janë rekord i ri. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë rreth 4 mijë fluturime më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të ASHNA-s, shifrat e këtij gjashtëmujori i kanë tejkaluar edhe ato të gjashtëmujorit të 2019-s që mbante rekordin për numrin më të lartë të operimeve për gjysmën e parë të vitit.
“Gjatë muajit qershor të vitit 2022 kemi pas një numër rekord të fluturimeve, afër 2 mijë operime brenda kësaj periudhe, që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2021 është një rritje prej 43.5 përqind. Ndërsa për periudhën janar-qershor 2022 kemi një numër rreth 9 mijë e 815 operime apo janë 63.5 përqind më shumë operime sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2021. Te kjo rritje ka mundur të ndikojë pandemia, ku vitin 2021 nuk ka pasur edhe aq shumë operime. Mirëpo nëse e krahasojmë me periudhën e vitit 2019, edhe në atë vit kemi pas rritje te numrit te fluturimeve në krahasim me periudhën e njëjte, ku viti 2019 është marrë si vit krahasues për shkak se prej pas luftës deri në vitin 2019, ka shënuar rekord të operimeve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”, theksoi Ujkani.
Mirëpo, rritja e numrit të fluturimeve do të thotë më shumë punë për kontrollorët aktualë të trafikut ajror të ASHNA-s të cilët janë të paktë në numër. Viteve të fundit kanë ikur dhjetë kontrollorë në vendet e tjera në të cilat iu ofrohen kushte më të mira pune.
Ujkani pranoi se rreziku i ikjes së punëtoreve është i lartë dhe sipas tij nëse vazhdon një trend i tillë, ASHNA-së i pamundësohet ofrimi i shërbimit 24 orësh.