Shkup, 9 maj – Brukseli të guxojë të përmbushë pjesën e tij të obligimit dhe të caktojë sa më shpejt datën e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, e cila do të shënojë fillimin e negociatave. Procesi duhet të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi Maqedonia e Veriut e ka përmbushur detyrën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto janë mesazhet e dërguara dje nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Mari Bërnz të cilët theksuan se dialogu i paralajmëruar strategjik me SHBA-në është një proces i nisur prej kohësh dhe nuk është zëvendësues i anëtarësimit në Union.
Kryeministri Kovaçevski dje tha se është në të njëjtën linjë me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, duke theksuar se disa herë deri tani ka theksuar që vendi tashmë 17 vite është kandidat për anëtarësim dhe deri tani 45 për qind e legjislacionit të saj është harmonizuar me legjislacionin e BE-së.
Gjegjësisht, Osmani paralajmëroi dialog konkret dhe hapa konkretë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë në dy javët e ardhshme, por gjithashtu tha se këtë verë Maqedonia e Veriut do të presë që Bullgaria dhe BE-ja të bëjnë hapin e duhur në raport me vendin, dhe nëse kjo nuk ndodh, ai mendon se duhet të vihet një vijë.
Sipas Kovaçevskit, vendi ka marrë vendime të vështira dhe është koha që BE-ja më në fund të marrë vendimin për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Kryeministri beson se çdo proces që zgjat shumë dhe në fund nuk ka rezultat, çon në uljen e besimit të qytetarëve në vend, të cilët, siç tha ai, i japin mbështetje të fortë procesit të integrimit evropian.
Se ku do të lëvizë vendi nëse nuk marrim datë për negociata në qershor, Kovaçevski theksoi se drejtimi është gjithmonë integrimi euroatlantik.
Kovaçevski personalisht, siç theksoi, nuk është i lidhur me data, por megjithatë theksoi se zgjerimi i BE-së në rajon aktualisht nuk është vetëm çështje politike dhe ekonomike, por edhe gjeostrategjike, për shkak të luftës në Ukrainë dhe interesit të vendeve të treta që të mos zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ambasadorja amerikane Bërnz tha dje se procesi duhet të vazhdojë sa më parë. Qëndrimi i saj është se Maqedonia e Veriut e ka përmbushur detyrën e saj sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ambasadori shprehu shpresën se Maqedonia e Veriut do të marrë një datë për fillimin e negociatave në qershor.
“Besoj se Maqedonia e Veriut e ka bërë detyrën e saj në lidhje me anëtarësimin në BE dhe besoj se procesi duhet të vazhdojë sa më shpejtë që është e mundur. Dua të theksoj se dialogu strategjik, të cilin e vendosëm nuk paraqet zëvendësim për anëtarësim në BE, por bëhet fjalë për përmirësimin e marrëdhënieve, të cilat i kemi pasur deri tani”, theksoi Bërnz.
Se BE-ja duhet të tregojë unitet për zgjerim, siç tregoi në reagimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, është mesazhi i drejtorit të Asociacionit sllovak të Politikës së Jashtme. Tomas Strazhaj në një intervistë për MIA-n.
Situata në Evropë sot kërkon që anëtarësimi në Bashkimin Evropian të paraqesë garantues të sigurisë. Prandaj vendet anëtare të BE-së duhet ta përshpejtojnë procesin e integrimit dhe të mos bëjnë pengesa me të cilat ai do ta prolongohej sërish, e me shteti si i juaji që janë më së mirë të përgatitura për procesin e integrimit, ta fillojnë pa prolonguar procesin e bisedimeve, thotë Strazhaj.
Ai përsëriti se Sllovakia ka treguar shumë qartë se mbështet fuqishëm integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe kujtoi se për ato është e papranueshme që çështjet dypalëshe të jenë pjesë e procesit të integrimit në BE.
“Për fat të keq, sistemi i votimit dhe mekanizmat e votimit janë siç janë sot dhe duhet të llogarisim në çdo shtet anëtar për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut”, tha Strazhaj.
Lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, beson se vetoja nuk do të hiqet në qershor dhe ajo që realisht mund të ndodhë është që të mbahet seanca e dytë ndërqeveritare e Sofjes dhe Shkupit. Ai kërkoi nga Evropa të bashkohet për sa i përket asaj që po ndodh me vendin në procesin e integrimit evropian, si për shembull të bashkohemi për Ukrainën, në mënyrë që përfundimisht të fillojmë negociatat në qershor.
Ai përsëriti se VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë të kërkuara nga Bullgaria, sepse nuk kemi garanci se me këtë mbyllen të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve.