Nëse sigurohen kushte të favorshme atmosferike dhe pas zgjidhjes së problemeve teknike, agjencia amerikane e hapësirës NASA do të tentojë që në orët e ardhshme të lëshojë raketën e saj më të fuqishme “Artemis-1” në Hënë.
Nisja e misionit pa pilot Artemis-1 është planifikuar për në orën 14:17 me orën lokale nga Qendra Hapësinore Kenedi në Florida, me mundësinë e një vonese deri në dy orë nëse është e nevojshme, njoftoi Bi-Bi-Si.
Zyrtarët lokalë të Floridës thonë se nisja e sotme mund të tërheqë deri në 400,000 turistë, të uritur për ngjarjet në hapësirë.
Qëllimi i raketës gati 100 metra të gjatë do të jetë lëshimi i një kapsule drejt Hënës, diçka që nuk ka ndodhur që nga përfundimi i projektit Apollo në 1972.
Nëse misioni nis sot, atëherë kapsula “Orion”, e cila është e fiksuar në majën e raketës, do të duhet të kalojë 37 ditë në hapësirë, duke rrotulluar hënën në një distancë prej gati 100 kilometrash.
“Artemis-1” është një fluturim provë pa pilot në hapësirë, por nëse misioni shkon sipas planit, atëherë “Artemis-2”, i cili pritet të nisë në vitin 2024, pothuajse me siguri do të ketë një ekuipazh.
NASA u përpoq të dërgonte misionin Artemis-1 në Hënë për herë të parë të hënën, por nisja u vonua si nga moti ashtu edhe nga çështjet teknike që duhej të zgjidhte përkohësisht. Në fillim u duk se një nga katër motorët kryesorë të raketës po mbinxehej, por kjo doli të ishte thjesht një “lexim i keq i sensorit”, kumtoi NASA, transmetoi Bi-Bi-Si.