Shkup, 29 mars – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se nuk do të ketë rritje të shpejtë të produkteve kur nuk do të vlejnë vendimet qeveritare për ngrirjen e çmimeve.
Sipas tij, prodhuesit dhe tregtarët mund të bëjnë kalkulime në bazë të çmimeve ekzistuese të lëndëve të para dhe parametrave të tjerë të cilat kanë hyrë në përcaktimin e çmimit final të produkteve.
“Nuk ka rrezik të tillë këtë vit. U kam bërë thirrje të gjithë prodhuesve dhe importuesve, ata e dinë se kur rriten çmimet e lëndëve të para dhe kur është korrja, të përgatiten sepse masat mund të vazhdojnë edhe pas 31 majit. Pra, nuk ekziston rreziku i rritjes së çmimit, prodhuesit dhe tregtarët mund të bëjnë llogaritjet sipas çmimeve ekzistuese të lëndëve të para dhe parametrave të tjerë si input në përcaktimin e çmimit përfundimtar. Të gjitha aktualisht janë me marzh fitimi dhe me çmime të përcaktuara nga Qeveria”, theksoi ministri, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pasi në një deklaratë para Qeverisë bëri të ditur se çmimet e produkteve higjienike po ngrihen.

Në lidhje me qëndrimin e biznesit se ngrirja e çmimeve nuk është masë tregu dhe në vend të kësaj kjo është më mirë që të intervenohet përmes rezervave të mallrave, Bekteshi tha se ngrirja e çmimeve jep rezultat dhe këtë qytetarët mund ta vërejnë gjatë blerjeve të përditshme.
“Kam respekt të madh për odat ekonomike. Nëse në rezervat shtetërore ka produkte higjienike, pemë e perime, atëherë do t’i aktivizojmë, por mendoj se duhet të informohen më mirë kur të dalin me deklarata të tilla, se në rezervat e mallrave nuk ka rezerva të këtyre produkteve. Ka grurë dhe miell, por kjo nuk është tema tani. Pjesa për ngrirjen e çmimeve të bukës, orizit, grurit,… jep rezultate dhe qytetarët e ndjejnë çdo ditë kur blejnë”, theksoi Bekteshi.
Ai edhe një herë tha se derisa ka nevojë për ngrirje të çmimeve, Qeveria do të sjellë vendime të tilla.
“Këto vendime fillimisht vlejnë deri më 31 maj, por mund të vazhdohen. Megjithatë, më mirë do të jetë të miratohet Propozimi në pjesën e Ligjit për TVSH-në nga ana e Kuvendit sepse atëherë do të kemi zgjidhje sistemore dhe afatgjate për produktet ushqimore bazë dhe produktet higjienike”, tha ministri.




