Kombet e Bashkuara kanë shpallur një strategji të re për Kinën për të ndihmuar bizneset në Kinë që të punojnë lidhur me realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm. Nisma u njoftua gjatë Samitit të Udhëheqësve të Paktit Global të OKB-së të mbajtur të mërkurën dhe të enjten.
Strategjia për Kinën identifikon shtatë fusha ku Pakti Global i OKB-së dëshiron të angazhohet më tej me organet e pushtetit të të gjitha niveleve në Kinë, bizneset dhe palët e tjera të interesuara, për të maksimizuar ndikimin.
Këto fusha përfshijnë luftimin e ndryshimit të klimës, uljen e pabarazive, nxitjen e punës së denjë, ndërmarrjen e veprimeve kundër korrupsionit, angazhimin e sektorit privat nëpërmjet nismës “Një brez, një rrugë”, forcimin e bashkëpunimit Jug-Jug nëpërmjet bashkëpunimit të biznesit Kinë-Afrikë dhe nxitjen e risive të biznesit dhe partneriteteve lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm me anë të Nismës së Zhvillimit Global të propozuar prej Kinës. Pakti Global i OKB-së nxit bizneset dhe firmat në mbarë botën që të zbatojnë politika të qëndrueshme dhe të përgjegjshme shoqërore.
Në këtë samit morën pjesë drejtues të OKB-së, krerë shtetesh e qeverish dhe udhëheqës të biznesit dhe të mendimit nga tërë bota.
Pakti Global i OKB-së, i themeluar në vitin 2000 nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, është bërë nisma më e madhe në botë për vazhdueshmërinë korporative, me më shumë se 15 000 kompani pjesëmarrëse dhe 3 000 subjekte jo biznesi në 162 vende.