Shkup, 17 prill – Zhvillimet turbulente në arenën ndërkombëtare që kanë përfshirë kontinentin evropian dhe mbarë botën në vitet e fundit, nuk ka se si të mos jenë pjesë e programeve parazgjedhore të kandidatëve shqiptarë që garojnë në zgjedhjet presidenciale, Arben taravari e Bujar Osmani. Edhe njëri edhe tjetri këto zhvillime i shohin si rrezik potencial për sigurinë e Maqedonisë së Veriut, e veçanërisht agresionin rus në Ukrainë dhe tentimet për zgjerim të ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut. Përveç që e notojnë si rrezik real, kandidatët shqiptarë për president shpalosin edhe strategji mbrojtëse nga ky rrezik, shkruan Zhurnal.
“Maqedonia e Veriut është në udhëkryq. Vendi, rajoni dhe bota po përjetojnë një epokë krizash, trazirash dhe çrregullimesh. Jashtë, lufta e agresionit rus kundër Ukrainës ka hapur një faqe të re në politikën ndërkombëtare dhe rajonale, me pasoja të thella për rendin botëror. Sistemi ndërkombëtar i bazuar në demokracinë, shtetin e së drejtës dhe bashkëpunimin shumëpalësh është nën kërcënim direkt. Të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së konkurrencës gjeopolitike, të proteksionizmit dhe fragmentimit ekonomik, si dhe të minimit të strukturave të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë vijë e frontit në përplasjen gjeopolitike të Rusisë me Perëndimin, gjë që ka shtyrë shumicën e qeverive të rajonit të mbajnë qëndrim të qartë përkrah aleatëve tonë, Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Megjithatë, matjet e opinionit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të rajonit, serbët në veçanti, por edhe një masë jo e neglizhueshme e bashkëqytetarëve maqedonas vazhdojnë ta konsiderojnë Rusinë si vend aleat. Përveç kësaj, të trimëruar nga përkrahja e Kremlinit, disa liderë rajonal janë shndërruar në vegla të Putinit dhe cënojnë hapur paqen dhe sigurinë rajonale. Siguria në Ballkan është e brishtë dhe ndaj kërkon përfshirje të shtuar të partnerëve tanë strategjik dhe bashkëpunim më të fuqishëm midis tyre”, qëndron në progrmin parazgjedhor të kandidatit presidencial arben Taravari.
Sipas kandidatit të koalicionit VLEN, përbrenda vendit, polarizimi është rritur dukshëm në shoqëri, si pasojë e një krize të trefishte ekonomike, politike dhe etike. Ende pa filluar mirë rimëkëmbja në dalje të pandemisë Covid-19, lufta në Ukrainë me pasojat e saj në çrregullimin e tregtisë së mallrave dhe në zinxhirët e furnizimit, ka shkaktuar inflacion të jashtëzakonshëm, duke rënduar edhe më tej bizneset dhe ekonomitë familjare. Vendi poashtu po përballet me një epidemi të korrupsionit që po e shtjerr besimin e qytetarëve në institucionet publike. Në fund, bllokimi i procesit të integrimit të vendit në BE, ka shkaktuar rritje të euroskepticizmit te një pjesë e bashkëqytetarëve dhe përhapje të narrativave anti-evropiane, të cilat ushqehen në masë të madhe nga ndikimet malinje të Kremlinit, përmes fushatave të dezinformimt online dhe propaganduesve pro-rusë në Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia e Veriut për fat të keq është bërë terren pjellor për forcat ektremiste që kanë për synim thellimin e ndasive në shoqërinë tonë multi kulturore, kultivimin e urrejtjes kundër BE-së, SHBA-ve dhe NATO-s, por edhe minimin e demokrasisë liberale dhe konsensuale. Sfida para nesh është jetike. Ne jemi gjenerata që duhet të sigurojmë që lufta e Putinit të mos i japë fund demokracisë perëndimore dhe të mos e ngadalësojë integrimin e vendit në BE. Presidenti i ardhshëm i Republikës do të marrë detyrën në një botë ku rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po dobësohet. Presidenti i ardhshëm do të marrë drejtimin e një vendi që duhet shëruar nga polarizimi dhe plagët e ekstremizmit”, ptencohet në programin parazgjedhor të Taravarit.
Në programin parazgjedhor të kandidatit presidencial të Frontit Evropian, Bujar Osmani, theksohet fakti se Republika e Maqedonisë së Veriut tashmë katër vite është anëtare e plotfuqishme e NATO-s duke u integruar me sukses në sistemin e sigurisë dhe sistemin politik të Aleancës. Por shtohet se përveç benefiteve, ky fakt kërkon edhe kujdes shtesë nga propaganda ruse, shkruan Zhurnal.
“Ky është një përfitim thelbësor. Shteti është shumë më i qëndrueshëm dhe më pak i ekspozuar ndaj kërcënimeve të jashtme të sigurisë, por edhe faktor më i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky besim dhe ky autoritet i arritur tek aleatët, kontribuon që vendi dhe rajoni të jenë objektiv i një gare gjeopolitike që po zhvillohet në skenën globale. Republika e Maqedonisë së Veriut është nën kërcënim të fuqishëm të të ashtuquajturave qendra të forcave alternative, të udhëhequra nga ndikimi rus, por jo edhe të kufizuara aty, interesat e të cilave nuk përkojnë me interesat strategjike të vendit. Federata Ruse, përveç kundërshtimit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, tashmë edhe zyrtarisht e ka vendosur zgjerimin e Bashkimit Europian në rajonin tonë, si kërcënim për interesat nacionale të Rusisë, për më tepër, duke u rreshtuar me vendet demokratike në përkrahje të hapur ndaj Ukrainës dhe kundër agresionit të Rusisë, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht u përfshi si vend armik në listën e Kremlinit. Ndikimi hibrid, i cili edhe tani po ndjehet, vetëm do të intensifikohet në funksion të interesave ruse për destabilizimin e gjithë rajonit”, thuhet aty, ku shtohet se roli i parë dhe më i rëndësishëm që do të ketë Presidenti i vendit është ruajtja e kursit euroatlantik të vendit, dhe që t’i thuhet JO Rusisë dhe ndikimit të saj në rajon, duke e përforcuar qëndrueshmërinë e vendit ndaj ndikimeve të jashtme malinje dhe të dëmshme.
“Përmirësimi i kushteve në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pajisja dhe funksionimi i saj sipas standardeve të NATO-s. Sigurimi i të paktën 2% të prodhimit të brendshëm bruto për financimin e Mbrojtjes, në përputhje me vendimet e NATO-s nga samiti i Uellsit dhe Vilniusit. Gatishmëria teknike dhe taktike e Armatës përballë kërcënimit të sigurisë ndaj rajonit nga politika ekspansioniste e Federatës Ruse. Gatishmëri për t’u përballur me të gjitha sulmet hibride. Përfaqësimi i drejtë i të gjithë qytetarëve brenda kuadrit të rregullt të eprorëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vazhdimi i aktiviteteve për profesionalizimin e rrjetit diplomatik, duke garantuar standardin që 2/3 (dy të tretat) e ambasadorëve të jenë diplomatë të karrierës. Përfaqësimi i drejtë i kuadrit në Përfaqësitë Diplomatiko-Konsullore. Riorganizimi i Përfaqësive Diplomatiko-Konsullore sipas rolit të ri dhe nevojave të shtetit. Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtare jo e përhershme. Vazhdimi i trashëgimisë së suksesshme me OSBE-në”, janë disa prej masave që numërohen në programin parazgjedhor të kandidatit Osmani, si “mburojë” nga rreziqet që mund t’i kanosen Maqedonisë së Veriut./Zhurnal