Shkup, 20 shtator – Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, zhvilloi takime të veçanta me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzojan, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Gjatë takimeve, siç informojnë nga Kabineti i tij, Osmani shprehu shqetësimin e tij të thellë për operacionet e sotme ushtarake në rajon, si dhe për rrezikun dhe ndikimin në popullatën e prekur civile. Duke bërë thirrje për deeskalim urgjent, ai shprehu sërish shqetësimin për pasojat serioze për njerëzit, veçanërisht grupet e prekura.
“Duhet të mbizotërojnë aspektet humanitare dhe të sigurohen nevojat humanitare të popullatës vendase”, nënvizoi Osmani gjatë takimeve.
Kryesuesi theksoi gjithashtu se përdorimi i forcës për zgjidhjen e kontesteve është i papranueshëm dhe se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv mes palëve është e vetmja rrugë drejt paqes së përhershme.
Ai e përsëriti gatishmërinë e tij për angazhimin personal dhe aktiv dhe theksoi se OSBE-ja si organizatë është e gatshme që t’i ndihmojë Armenisë dhe Azerbajxhanit në rrugën drejt paqes.
“OSBE-ja ka përvojën, ekspertizën dhe mjetet e nevojshme për lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e besimit, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve relevante,” tha Osmani në takimet e tij të veçanta me ministrat e Punëve të Jashtme të Armenisë dhe Azerbajxhanit, Mirzojan dhe Bajramov.