“Deri më tani disa herë jemi drejtuar me shkresë deri tek Ministria e Kulturës për ndihmë për fazën e dytë, megjithatë deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Besoj në ndihmën e kësaj ministrie që të bëjmë një punë të mirë, për një objekt që për së pari herë ndërtohet në Komunën e Zhelinës e që do ta gëzojnë gjeneratat e reja në të ardhmen”, tha kryetari i Komunës së Zhelinës.
Faza e parë e objektit të Pallatit të Kulturës në Zhelinë është drejt përfundimit. Aktualisht është duke u punuar në vendosjen e dyerve, dritareve dhe infrastrukturës përcjellëse që ishte planifikuar në fazën e parë. Mjetet për këtë objekt ishin siguruar nga ana e Tav Maqedonia, kurse gurthemeli për ndërtimin e së njëjtës ishte vendosur në muajin shtator të vitit të kaluar. Për fazën e dytë, mjetet nuk janë siguruar, kurse kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu shpreson në përkrahje nga Ministria e Kulturës për realizimin e fazës së dytë.
“Punimet vazhdojnë intenzivisht. Në këtë kohë janë duke u vendosur dritaret dhe enterieri i brendshëm primar. Më pas presim të fillojmë edhe me enterierin sekondar dhe të gjitha pajisjet për ta kompletuar siç duhet këtë qendër kulturore për të qenë funksionale. Jemi duke punuar, punimet nuk janë ndalur. Këtyre ditëve do të bëjmë edhe promovimin e punëve që janë bërë deri më tani. Shpresojmë që sa më shpejtë ta mbyllim këtë proces kaq të rëndësishëm për rininë tonë. Shpresojmë në ndihmën e Ministrisë së Kulturës, sepse siç e dini, faza e parë e këtij projekti është financuar nga mjetet e Tav Maqedonia”, thotë kryetari i Komunës së Zhelinës. Sejdiu informoi se ndihmë është kërkuar edhe nga Ministria e Kulturës, por përgjigje nuk ka.
“Deri më tani disa herë jemi drejtuar me shkresë deri tek Ministria e Kulturës për ndihmë për fazën e dytë, megjithatë deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Besoj në ndihmën e kësaj ministrie që të bëjmë një punë të mirë, për një objekt që për së pari herë ndërtohet në Komunën e Zhelinës e që do ta gëzojnë gjeneratat e reja në të ardhmen”, tha kryetari i komunës Blerim Sejdiu. Sipas tij, ky objekt i rëndësisë së veçantë për kulturën në këtë komunë, duhet që të përfundohet dhe beson se pushteti qendror do të gjejë mënyra për të përkrahur fazën e dytë që përfshinë enterierin e brendshëm.
“Mjetet janë siguruar vetëm për fazën e parë të objektit, për instalimin e rrjetit të rrymës elektrike, ujësjellësit, kanalizimit, dyert, dritaret dhe natyrisht fasadimin. Për këtë pjesë mjetet janë në dispozicion, kurse pjesën tjetër do të duhet që të gjejmë mjete ose të vazhdojë të përkrahet nga Tav Maqedonia ose nga Ministria e Kulturës”, shpreson Sejdiu. Kërkuam qëndrim edhe nga Ministria e Kulturës, por deri më tani nuk janë përgjigjur se a do të përkrahet faza e dytë e ndërtimit të Pallatit të Kulturës në Zhelinë.