Agjencia Zhurnal.mk.

Parkingu te “Kalaja e Shkupit” kasaphane, thyhen veturat e vidhen gjërat me vlerë, policia në vend të hetimit preferon ngushëllimin!

Shkup, 18 janar – Njëherë alarmet për bomba e tani vjedhjet dhe thyerjet e makinave po dëshmojnë paaftësinë e policisë. Në Maqedoninë e Veriut vitin që lamë pas ishte i shoqëruar me një përditshmëri të zakonshme që çdo mëngjes fillohej me një alarm për bombë, pastaj diku ka pasditja konstatohej se kishte të bëj me alarm të rrejshëm. Frika dhe paniku te qytetarët ishin në nivel të lartë, ndërkaq përgjegjësia e institucioneve në nivel të ulët. Nga kjo situatë besimi i qytetarëve në organet që janë për mbrojtje dhe siguri ra edhe më shumë, sepse edhe ashtu nuk ka qenë në nivel të lartë. Por, vitin që filluam “alarmet për bomba të rrejshme” ende nuk janë dëgjuar, por frika dhe pasiguria te qytetarët po vazhdon në forma tjera. Thyerja e veturave, vjedhja e gjërave me vlerë po ndodhë në parkingjet që garantojnë vetëm vendin por jo edhe automjetet. Në mes të ditës e të natës pa dallim parkingjet janë shndërruar në “kasaphane” të hajnave që thyejnë e vjedhin pa u frikësuar nga askush. Policia në vend se të hetojë rastet e të gjej autorët, e luan rolin e “ngushëlluesve” që kur shkojnë në vend ngjarje deklarojnë se nuk është rasti i parë e se rastet e tilla janë shtuar. Por mirë, kush duhet të ketë përgjegjësi e të jap llogari për këto raste?, shkruan Zhurnal.

Parkingu te “Kalaja në Shkup” vend i rrezikshëm, thyhen veturat dhe vidhen gjëra me vlerë-

Një qytetarë për redaksinë Zhurnal ka informuar se në këtë parking ditë më parë, përderisa ka parkuar veturën pas tij ka qenë një veturë tjetër, dhe me të dalë nga vetura personi pa identitet është prezantuar në cilësinë e inspektorit duke e paralajmëruar që mos të parkohet në atë parking sepse ka pasiguri dhe që vetura mund t’i thyhet. Kjo dëshmon se ka pasur raste që janë thyer veturat por ja që nuk është marrë mundi të hetohen autorët.

Ndërkaq, në redaksinë Zhurnal është denoncuar edhe një sulm që ju ka ndodhë qytetarëve. Ku cak i sulmit ka qenë një veturë me targa të Zvicrës, dy qytetarë shqiptarë nga Kumanova që kanë kërkuar të jenë anonim, janë parkuar në këtë parking për të ngrënë darkë në restorantin sipër parkingut. Por, sipas tyre me të hyrë në parking kanë vërejtur një veturë që ka qenë e ndezur dhe duke qëndruar në parking dhe që ka qenë në rolin e një vëzhguesi “enigmatikë”. Por, pa paramenduar se mund të ndodhë diçka kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar. Pas një ore kur kthehen në parking shohin veturën e demoluar tërësisht, xhama të thyer, dhe pa asnjë gjë brenda.

“Sapo jemi kthyer në parking kemi parë veturën e thyer dhe kemi kontrolluar gjërat asgjë nuk kishin lënë, jemi të dëmtuar shumë materialisht na kanë vjedhur para të gatshme diku afër 500 euro, nga kartela e bankës kanë tërhequr menjëherë 50 mijë denarë, madje kishin vjedhur edhe dëgjuese dhe mbushës telefoni, pallto e gjithçka tjetër, me fjalë të tjera kishin marrë gjithçka”, deklaron pronari i veturës për Zhurnal.

Mes tjerash ai shtoi se për të ka qenë absurde se si ka mundësi që të ndodhë dëmtimi vijnë policia dhe janë të papërgjegjshëm në kryerjen e punës së tyre. Ai tregon edhe bisedën e tij me policinë.

“Pasi kanë ardhur policia në vendin e ngjarjes fjala e tyre e parë ka qenë se raste të tilla ndodhin shpesh nuk jeni ju të parët. Mes tjerash kur na kanë pyetur se mos kemi dyshime re ndokush, ne deklaruam se dyshojmë te personi që ishte prezent në parking qysh kur kemi hyrë me një veturë të tipit golf 6 i cili ishte edhe aty prezent edhe gjatë kohës që erdhën policia, por nga policia na thanë që te personi që ju po dyshoni ne nuk mund ta kontrollojmë sepse është koleg i yni, është inspektor. Dhe ne dyshojmë se kemi të bëjmë me një bashkëpunim në koordinim mes “hajdutëve” dhe policisë”, përfundon qytetari i dëmtuar.

Nga ana tjetër, policia kanë vazhduar tutje me shfaqjen e “talentit” të tyre duke u thënë palës së dëmtuar që edhe nëse gjinden autorët paratë nuk do tu kthehen juve sepse ata nuk ua kanë marrë që t’ua ruajnë. Pra, në vend se ta kryejnë punën e tyre të hetojnë e të kapin autorët policia e këtij vendi tallet me personat që dëmtohen. Njëherë në rolin e “ngushëlluesve” e më vonë në rolin e “komedianëve” e asnjëherë në rolin e tyre që janë të obliguar të krijojnë mbrojtje dhe siguri.

E se në këtë parking ka thyerje të shpeshta të veturave është lehtë e kuptueshme sepse në vend shihen gjithandej copa qelqi që nuk pastrohen nga askush, e kjo mbase është edhe shtytje për këta “hajdutë” që të vazhdojnë me këtë veprimtari pikërisht në këtë vend sepse në sytë e tyre shihet si “vend pa përkujdesje” që bënë çfarë të duash e të mundesh sepse nuk hetohesh e as kuptohesh.

Pasiguria mbi nivel, vidhesh e dëmtohesh askush nuk mban përgjegjësi e aq më pak të jap llogari-

Maqedonia e Veriut si shtet anëtarë i NATO-s dhe shtet kandidat për në BE nuk është në gjendje të kap disa autorë që thyerjen e veturave e kanë bërë profesion që e praktikojnë në përditshmëri dhe pa kurrfarë pengese. Për çfarë sigurie pastaj mund të flasim, qytetarët e këtij vendi si duket e kanë të patjetërsueshme të adaptohen me këtë sistem (pa)drejtësie e (pa)sigurie.

Thyerja e veturave dhe vjedhja nuk janë vetëm dëmtime materiale, pasi këto dëme shkaktojnë edhe pasiguri fizike. Pra, si qytetarë i këtij vendi të krijohet ndjenja e pasigurisë kudo që shkon e çka do që vepron. Llogaridhënia dhe përgjegjësia në këtë vend kanë ndryshuar koncept, nuk jep llogari askush për asgjë, e përgjegjësia është zëvendësuar me “ngushëllim”, pra në vend të përgjegjësisë organet e papërgjegjshme zgjedhin të të ngushëllojnë në rast dëmtimi, me shprehjen e tyre që “nuk je i pari”. Mbase, lind kureshtja çfarë i kanë thënë atij të parit, apo atij i kanë thënë që nuk do të jesh vetëm ti, do të ketë edhe shumë pas teje.

Që në realitet ka edhe shumë raste të tjera, nga vendi i njëjtë dy javë më parë është thyer edhe një veturë tjetër e tipit “Audi”, ndërkaq një parking më poshtë se ky i Kalasë së Shkupit, pra bëhet fjalë për parkingun në kate në qendër të qytetit, vetura e tipit “Ford” me targa të Tetovës është thyer, për ironi ka qenë veturë e studentit dhe nuk ka pas gjëra me vlerë një çantë e mbushur me libra edhe këtë e kanë vjedhur, dhe pastaj policia me shpejtësi ka ardhur në vendngjarje për “ngushëllim” dhe po me të njëjtin intensitet janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sot e kësaj dite nuk ka zbardhje të rasteve të lartpërmendura, e mbase edhe gjatë kohë nuk do të ketë me këtë narrativ dhe me këtë mungesë të përgjegjësisë. Rastet e tilla duhet të jenë shkak që të vetëdijesohen qytetarët të cilët kanë nda mendjen të qëndrojnë në këtë vend të ndëshkojnë me votë dhe mos të heshtin ndaj pasigurisë dhe padrejtësive kur përballen me këtë sistem të kalbur.

Ndërkaq, këto raste janë shtytje edhe më e madhe dhe motivuese për ata që e kanë nda mendjen që veçse të largohen prej vendit, që nuk po ikin vetëm nga papunësia por edhe nga pasiguria, padrejtësia e mungesa e funksionimit të institucioneve të këtij shteti. Të krijohet përshtypja se në këtë vend gjithçka është prishur dhe është jashtë funksionit. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky