Pas konfirmimit se Partia e Lirisë do të garojë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatë demokratë, të zgjedhur nga procesi i primareve në PD, ka nisur edhe të bëjë fushatë me logon e Partisë Demokratike.
Në një foto të publikuar nga sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, Indrit Sefa, duket se Monika Kryemadhi është takuar me strukturat në degën e PD në Fier, ku shfaqen logo e partisë si dhe një foto e Sali Berishës nga pas.
Sefa tha se përdorimi i simboleve të Partisë Demokratike nga PL ka për qëllim krijimin e imazhit të gabuar dhe deformimin e imazhit dhe qëndrimit të saj. Lidhur me ngjarjen Sefa tha se do të kërkojë një reagim urgjent nga KQZ që të ndalojë një gjë të tillë.
“Partia Demokratike e Shqipërisë konstaton gjate ditëve te fundit përdorimin e simboleve te saj nga drejtues te Partisë se Lirisë ne takimet elektorale te këtyre te fundit me qytetare apo simpatizantë. Partia Demokratike nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë forme bashkëpunimi elektoral me Partine e Lirisë apo me grupime politike qe janë ne koalicion me te. Përdorimi i simboleve te Partisë Demokratike ka për qellim krijimin e imazhit te gabuar dhe deformimin e imazhit dhe qëndrimit te saj.
Ky është një akt i dënueshëm dhe nga kodi elektoral dhe për ketë arsye nesër do t’i drejtohemi zyrtarisht KQZ për marrjen e masave urgjente qe te tilla përdorime te shmangen sa me shpejt te jete e mundur”, shkruan Sefa.
Më herët, Partia Demokratike ka ankimuar në KAS vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pasi sipas saj, problem mbetet përdorimi i logos së PD nga disa kandidatë që cilësojnë veten si pjesë e “Komisionit të Rithemelimit” dhe kandidojnë në emër të koalicionit duke krijuar konfuzion te votuesit.