Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se të enjten ka zhvilluar disa takime në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ai po ashtu theksoi se me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës diskutuan për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.
“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.
Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet.
Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi tha se për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.