Ish-presidenti polak, Leh Valesa (o. Lech Walesa) i ka bërë thirrje botës se tani është mundësia unike për të sjellë një ndryshim forcash politike në Rusi, që nuk duhet humbur.
Nobelisti 80-vjeçar i Paqes foli para audiencës amerikane në Uashington sërish në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj me fqinjin rus.
Z. Valesa tha se ukrainasit po luftojnë “me kurajë” dhe shtetet perëndimore po e ndihmojnë, por çelësi i fitores, sipas tij, do të jetë përmes “propagandës paqësore”.
“E gjithë bota është bërë bashkë kundër Rusisë. Nuk ka qenë kurrë kështu. Është mundësia jonë më e mirë për të sjellë, më në fund, pak rend në këtë botë,” u shpreh Valesa në fjalimin e datës 8 shkurt në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ish-presidenti tha se fati i ka dhënë Shteteve të Bashkuara rolin e liderit përballë këtyre sfidave dhe nuk duhet të tërhiqet tani.
“Pasardhësit tanë nuk do na e falnin kurrë po të ndodhë ndryshe,” tha ai.
Z. Valesa është themeluesi i lëvizjes polake të Solidarësisë dhe shërbeu nga viti 1990 deri në 1995-n si kryeshtetari i parë paskomunist i Polonisë. Ai deklaroi se luftën e tij kundër Bashkimit Sovjetik dhe Paktin e Varshavës më shumë se 40 vjet më parë e arriti kryesisht përmes informacionit, ndaj inkurajoi SHBA-në të bëjë më shumë me “luftën ndaj propagandës” së presidentit rus Vladimir Putin.