Shkup, 4 qershor – Krijimi i mundësisë në kontratat e projekteve ndërtimore për ndryshim të shkallëzuar të çmimeve sipas lëvizjeve të inflacionit, sipas shoqërive ndërtimore dhe odave është rrugëdalje nga gjendja në të cilën gjendet sektori ndërtimor për shkak të shtrenjtimit të materialeve ndërtimore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve.
Iniciativa për këtë tashmë është dorëzuar në Qeveri dhe institucionet kompetente dhe janë realizuar disa takime në mënyrë që të arrihet mënyra më e mirë për vazhdimin e realizimit të projekteve kapitale përkundër ndikimeve të jashtme nga konflikti ushtarak në Ukrainë dhe paraprakisht nga pandemia.
Materialet e shtrenjtuara ndërtimore ndikojnë në projektet aktuale dhe ato të ardhshme
Materialet themelore ndërtimore, sipas profesionit ndërtimor, shënojnë rritje të konsiderueshme të çmimeve. Analiza e Shoqatës për ndërtimtari, industri dhe materiale ndërtimore dhe e jometaleve tregon se në periudhën mars 2020 deri në mars 2021 çmimi i profileve dhe tubave të çelikut është rritur për 33 për qind, nga marsi 2021 deri në qershor 2021 për 33 për qind shtesë, e deri në fund të vitit edhe deri në 95 për qind. Nga fillimi i pandemisë e deri në fund të vitit të kaluar, shtrenjtimit te pagesa, gjeokompoziti, termoizolimi ESP, lyerjet mbrojtëse, polimer-bitumi për asfalt dhe profilet metalike tejkaluan 50 për qind.
“Ajo që është shqetësuese është se është i pasigurt fundi i shtrenjtimeve të materialeve, që ka vazhduar me intensitet të shprehur që nga fillimi i këtij viti dhe nuk pritet stabilizim i shtrenjtimeve në sezonin e radhës, gjë që reflekton në ambientin e plotë afarist dhe punën e industrisë ndërtimore”, shprehen për MIA-n nga Shoqata e ndërtimtarisë, industrisë së materialeve ndërtimore dhe jometaleve.
Problemi me shtrenjtimet i prek të gjitha segmentet e ndërtimtarisë dhe ndërtimin e lartë dhe ndërtimin e ulët, e gjithashtu edhe investimet private dhe investimet publike. Edhe pse problemi manifestohet në të gjitha sferat, ai më së shumti ndihet në fushën e furnizimit publik.
“Te furnizimet aktuale publike ka projekte që realizohen për tre, pesë e më shumë vite, me ç’rast te furnizimet me çmime fikse kompanitë punojnë në kushte të çmimeve të pandryshuara të dakorduara disa vite më parë dhe pamundësi për korrigjimin e tyre, derisa te furnizimet ku është përcaktuar shkallë rrëshqitëse e njëjta nuk funksionon, respektivisht nuk reflekton rritje të çmimeve në realitet. Problem i madh janë edhe furnizimet e reja publike, duke marrë parasysh se kushtet sipas të cilave përcaktohen janë kushte që nuk përkojnë me situatat e sotme. Për shkak të kësaj, vihet në pikëpyetje rentabiliteti i realizimit dhe krijohet pasiguri në ndërtimtarinë, gjë që mund të rezultojë me dështimin e një numri të madh të procedurave të tenderimit”, bëjnë të ditur nga Shoqata.
Për shkak të përkeqësimit të situatës në sektor, ata muajin e kaluar kanë dorëzuar iniciativë të re për korrigjimin e dallimeve në çmime, që zbatohet në pjesën më të madhe të kontratave për ndërtimin e projekteve që realizohen në periudhë të gjatë kohore.
“Që në fillim të vitit paraprak kemi alarmuar institucionet kompetente që të ndëmarrin masa me kohë për t’u përballur me shtrenjtimet e materialeve ndërtimore. Duke marrë parasysh se deri më tani nuk janë ndërmarrë masa të përshtatura për nevojat e industrisë ndërtimore, e situata është e rënduar dhe alarmante, krahas plotësimit të kërkesave të parashtruara tashmë, me qëllim të përcaktimit të diferencës në çmimet e kontratave aktuale dhe atyre të reja ndërtimore, muajin e kaluar në institucionet kompetente kemi dorëzuar iniciativë të re për rishikimin e shkallës rrëshqitëse, përkatësisht korrigjimin e diferencës në çmime (Price adjustment), që zbatohet në shumicën e kontratave për ndërtim (realizim) të projekteve që realizohen në periudhë më të gjatë kohore”, bëjnë të ditur nga Shoqata.
Nuk presin përmirësim, por vëllim të ulur të punës. – Duke marrë parasysh sitatat aktuale me krizën, si dhe përvojën e deritanishm në raport me administrimin dhe realizimin e projekteve kapitale, ku në kushtet tona thuajse gjithmonë shfaqet disproporcion mes shpenzimeve të planifikuar dhe të realizuara, nuk presim lëvizje të caktuara të situatave në drejtim pozitiv, respektivisht presim stagnim dhe vëllim të zvogëluar të punës në sektorin ndërtimor, bëjnë të ditur nga Shoqata.
Në pjesën e ndërtimeve të ulëta, rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore vë në pikëpyetje rentabilitetin e realizimit të projekteve, për çka në raste të caktuara kompanitë i ndërpresin kontratat, veçanërisht ato te të cilat nuk ka mundësi për korrigjimin e çmimeve. Në pjesën e ndërtimit të lartë, krahas faktorëve të tjerë, shtrenjtimi i materialeve ndërtimore sjell rritje të çmimeve të banesave, gjë që e vërtetojnë të dhënat e BPRMV-së, të cilat tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti çmimet e banesave shënojnë rritje prej 12.4 për qind në nivel vjetor , e në bazë tremujore prej 2.9 për qind.
Edhe Oda Ndërtimore e Lidhjes së Odave Ekonomike kërkon mbështetje për tejkalimin e problemit me jostabilitetin e çmimeve për shkak të paparashikueshmërisë së bursave.
“Pandemia në sektorin ndërtimor shkaktoi rritje drastike të çmimeve të lëndëve të para në bursat botërore, gjë që nga ana tjetër shkaktoi rritje të çmimeve të produkteve ndërtimore. Momentalisht, çmimet e disa materialeve themelore janë rritur për 100 për qind, ndërsa rritja është mesatarisht rreth 40 për qind. Por, theksojmë edhe se problem i madh është fakti se nuk ka parashikueshmëri meqë bursat që i përcaktojnë çmimet janë shumë të paqëndrueshme”, deklaruan për MIA-n nga Oda e Ndërtimore e LOE-së.
Edhe sipas tyre, problemi më i madh dhe sfidë serioze që kërcënon mbijetesën dhe likuiditetin e kompanive janë marrëveshjet aktuale që janë lidhur në fillim të vitit të kaluar, meqë çmimet dhe kushtet që ato përmbajnë për shkak të tendencës në rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore nuk janë më reale. Disa projekte janë të pushuara
për shkak të pamundësisë për të kalkuluar çmimet përfundimtare. Daljen nga ky problem e shohim në krijimin e mundësisë në marrëveshjet për ndryshim të shkallëzuar të çmimeve në përputhje me lëvizjet e inflacionit. Ende ka paparashikueshmëri të madhe në parashikimin dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme, kështu që është e pamundur të jepen vlerësime të sakta për periudhën e ardhshme.
Angazhime për vazhdimin e ciklit investues në infrastrukturën
Nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore (NPRRSH), që janë është bartëse të disa projekteve kapitale për MIA-n, shprehen se kanë mirëkuptim për kërkesat e odave dhe se kërkohet mënyra më e mirë për vazhdimin e projekteve.
Jemi dëshmitarë, shprehen nga atje, të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të naftës, derivateve të naftës, hekurit dhe produkteve të tjera që janë kyçe në ndërtimtarinë, si dhe furnizimin e vështirësuar të materialeve të shkaktuara para së gjithash nga kriza ekonomike dhe energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë dhe paraprakisht kriza me pandeminë. Nga aty ne kemi mirëkuptim për kërkesën e Odës Ndërtimore të LOE-së me të cilat Qeveria dhe institucionet kompetente realizuan disa takime në të cilat u diskutua i shkallëzuar i çmimeve në përputhje me lëvizjet e inflacionit, por ky është një vendim që nuk mund të merret të mëvetësishme nga NPRRSH-ja. Kjo për arsye se kontratat e nënshkruara me kompanitë ndërtimore janë në përputhje me Ligjin për furnizim publik.
“Qeveria e RMV-së dhe institucionet kompetente janë duke i shqyrtuar kërkesat dhe kërkohet mënyra më e mirë për vazhdimin e realizimit të projekteve kapitale përkundër ndikimeve të jashtme nga konflikti ushtarak dhe paraprakisht pandemia”, tha bëjnë të ditur nga NPRRSH-ja dhe theksojnë se Qeveria dhe NPRRSH-ja janë partnerë të kompanive ndërtimore dhe në këtë drejtim angazhohen për vazhdimin e ciklit investues në rrjetin rrugor.
Realizimi i investimeve kapitale të NPRRSH-së, shtojnë ata, në muajt e parë të vitit pikërisht për shkak të arsyeve të lartpërmendura zhvillohet më ngadal dhe deri më tani kemi realizuar 2,4 miliardë denarë ose 11 për qind të asaj që është planifikuar. Por, theksojnë, se sezoni i ndërtimit është gjithmonë më intensiv në muajt e pranverës dhe verës dhe pikërisht për këtë arsye presim që në muajt në vazhdim kjo përqindje të ndryshojë në masë të konsiderueshme.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, nga ana tjetër, siguron se ndërtimi i projekteve të mëdha kapitale vazhdon me ritëm të pazvogëluar, respektivisht nuk ka ndërprerje në realizimin e tyre.
“Ndërtimtarinë e mirëmbajmë në kondicion të plotë dhe me masa që i ndërmarrim me kohë dhe i tejkalojmë të gjitha sfidat me të cilat përballemi duke marrë parasysh të gjitha këto kriza ekonomike botërore që gjenden para nesh. Ofensiva ndërtimore është në vrull, i gjithë mekanizimi është në terren në të gjithë shtetin. Sivjet kemi buxhetin më të madh historik për ndërtimin e rrugëve dhe rehabilitimin e plotë të të gjithë
infrastrukturës rrugore dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha kompanitë ndërtimore, me odat ekonomike, për të realizuar projektet që kemi filluar për të ofruar kushte sa më të mira dhe vazhdimësi në ndërtimin e të gjitha projekteve më të rëndësishme për vendin tonë”, tha Boçvarski.
Rishpërndarje e investimeve kapitale – më shumë para për gazifikimin, për Korridorin 8 dhe për subvencione për linja ajrore
Me rebalancin e Buxhetit, shpenzimet e përgjithshme kapitale janë planifikuar në nivelin prej 32,2 miliardë denarë, rreth 6 miliardë denarë më pak në krahasim me planin për vitin 2022.
“Në resorin Transport dhe Lidhje me rebalancin janë parashikuar mjete plotësuese për banesa ssociale dhe për gazifikim, ndërsa bëhen shkurtime të subvencioneve për linjat ajrore, projektin BRT dhe projektet rrugore dhe hekurudhore nga Korridori 8, për shkak të prolongimit të projekteve të paralajmëruara”, informuan për MIA-n nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Për ndërtimin e banesave për çka nuk ishin parashikuar mjete, tani propozohet të ndahen 200 milionë denarë, ndërsa për projektet e gazifikimit ka rritje prej 300 milionë denarë, përkatësisht nga 273.898.000 në 573.998.000 denarë.
Krahas shpenzimeve joproduktive, si në resoret tjera, ka shkurtime edhe në subvencionet për linja ajrore, nga 70 milionë denarë të planifikuara fillimisht në 40 milionë denarë. Arsyeja, siç sqarojnë ata, është skadimi i kontratës me kompaninë ajrore me buxhet të ulët Vizer më 1 mars të këtij viti. Në fazën përfundimtare është përgatitja e një thirrjeje tjetër publike dhe janë duke u përpunuar edhe modele të tjera të mbështetjes financiare. Janë shkurtuar të gjitha mjetet në vlerë prej 246 milionë denarë për projektin për Transport të shpejtë me autobus BRT.
Dy miliardë denarë, nga ana tjetër, janë propozuar të zvogëlohen për projektin për ndërtimin e Korridorit 8 që duhet ta realizojë konsorciumi Behtel dhe Enka, nga 5,9 miliardë denarë të planifikuar në 3,9 miliardë denarë. Kjo ndodh për faktin se janë në pritje të procedurave për lidhjen e marrëveshjes para fillimit të punimeve ndërtimore në terren. Në fazën përfundimtare është përzgjedhja e Mbikëqyrjes dhe Këshilltarit ndërkombëtar për transaksione juridike, i cili do t’i udhëheq negociatat së bashku me Komisionin tashmë të formuar për negociata për lidhjen e kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D me Behtel-Enka për ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë nga Korridori rrugor 8, si dhe aksin e autostradës Prilep – Manastir në Korridorin 10d. Pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore për furnizim publik, sipas NPRRSH-së, do të vijojë nënshkrimi i kontratës për ndërtim.
Nga paratë e planifikuara për ndërtimin e dy akseve të para të hekurudhës drejt Bullgarisë në Korridorin 8 hekurudhor, ka ulje prej mbi 600 milionë denarë, gjegjësisht
nga 1,793 në 1,157 miliardë denarë, meqë ende pritet fillimi i punimeve ndërtimore. 200 milionë eurot e parashikuara për këtë projekt, të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe IPA, sqarojnë nga resori transport dhe lidhje, do të përdoren vetëm për këtë qëllim, do të qëndrojnë në llogarinë e huave, e kur do të fillojë realizimi, do të tërhiqen vetë. Siç tha më herët Boçvarski, procedura e tenderit për përzgjedhjen e kontraktorëve për akset Kumanovë-Belakovc dhe Belakovcë-Kriva Pallankë në Korridorin 8 është në fazën përfundimtare.
Ekipi që ka punuar në këto procedura ka përfunduar raportin, kemi edhe përgjigje pozitive nga BERZH-i nga ku i marrim mjetet dhe tani jemi duke punuar në të gjitha çështjet teknike në raport me nënshkrimin e kontratës, zhvendosjen e mjeteve, gjë që është gjithashtu hapi i fundit për të lidhur kontratë”, tha Boçvarski.
Përkundër shkurtimit të investimeve kapitale, sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, ato për këtë vit mbeten në nivel rekord me një shumë të reduktuar, përkatësisht është për 8,8 miliardë denarë ose 37,8 për qind më e lartë se vitin e kaluar dhe për 16,1 miliardë denarë, respektivisht dy herë më i lartë se në vitin 2020.
Gjatë arsyetimit të rebalancit të buxhetit, Besimi tha se investime të konsiderueshme me mjete buxhetore në fushën e infrastrukturës rrugore, në Korridorin 8, me ç’rast i numëroi projektet: zgjerim i autostradës Tetovë-Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë-Strugë-Qaftë Thanë, ndërtimi i aksit Gostivar-Bukojçan, pjesa Rankovc-Kriva Pallankë dhe Kriva Pallankë deri në kufi me Bullgarinë, si dhe pjesa perëndimore e Korridori rrugor 8 përmes ndërtimit të autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe aksit Kërçovë-Ohër. Në Korridorin 10 është planifikuar aksi Prilep – Manastir. Përveç kësaj, NPRRSH-ja duhet të përpilojë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Gjithashtu, me mjete kreditore është parashikuar ndërtimi i aksit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), përmirësimi i infrastrukturës rrugore të komunave përmes Projektit për ndërlidhjen e rrugëve lokale.
Në fushën e infrastrukturës hekurudhore, sipas Besimit, do të financohen tri fazat e ndërtimit dhe rehabilitimit të pjesës lindore të hekurudhës – Korridori 8, si dhe Projekti Ndërtim i hekurudhës Kërçovë – kufiri me Shqipërinë. Njëherësh, është planifikuar ndërtimi i vendkalimit kufitar hekurudhor me objektet përcjellëse “Tabanovc” Serbi, që do të financohet me hua dhe mjete të grantit nga Korniza investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Në fushën e gazifikimit do të ndërtohen akset e gazsjellësit magjistral Shkup-Tetovë, Gostivar-Kërçovë dhe aksi Shën Nikollë-Veles, si dhe gazsjellësit interkonektues me Kosovën, me Serbinë dhe me Greqinë. Është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave fillore dhe të mesme, ndërtimi i palestrave në shkollat e mesme, rindërtimi i konvikteve, ndërsa në fushën e infrastrukturës komunale financohen Projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale dhe Projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik. Janë planifikuar edhe disa projekte kapitale nga infrastruktura komunale. Projekt kapital në mjedis jetësor është ndërtimi i Stacionit për për trajtimin e ujërave të zeza në
Shkup, si dhe stacionet për mbeturina të ngurta në rajonin e Pollogut, atë Jugperëndimor, të Vardarit, Pellagonisë, juglindor dhe rajonin e Shkupit, i numëroi atëherë Besimi.
Shkurtimi i investimeve kapitale, sipas Shoqatës ndërtimore pranë Odës ekonomike, tregon se mbështetja e shtetit ka për qëllim para së gjithash mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve më urgjente të ekonomisë, ndërsa komponenti zhvillimor është lënë për një ditë më pas.
Sipas Lidhjes së Odave Ekonomike, rebalanci i buxhetit ka ndikim serioz në investimet kapitale, të cilat, siç shprehen ata, tashmë janë trend në vendin tonë meqë ato zvogëlohen me çdo rebalancë. Investimet kapitale, porosisin ata, janë veçanërisht të rëndësishme, sepse realizimi i tyre angazhon disa industri dhe ka efekte pozitive afatgjata. Edhe pse në disa raste deri më tani janë bërë përpjekje nga zyrtarë të qeverisë për të rritur realizimin e shpenzimeve kapitale, megjithatë, siç thonë nga LOE-ja, në praktikë ende nuk ka efekt nga ky proces.
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se në mars të këtij viti janë lëshuar 373 leje ndërtimi, që është 10.4 për qind më shumë sesa në mars të vitit të kaluar. Nga numri i përgjithshëm i lejeve, 182 janë të dedikuara për ndërtime të larta, 69 leje për ndërtime të ulëta dhe 122 janë për rikonstruksion. Vlera e përgjithshme e parashikuar e objekteve që do të ndërtohen sipas lejeve të lëshuara është 4 585 341 000 denarë, dhe është për 12,1 për qind më pak në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar.