Shkup, 9 dhjetor – Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pasur fjalim në sesionin plenar të Samitit për demokraci që mbahet virtualisht në organizim të presidentit të SHBA-së, Xho Bajden.
“Sivjet, Maqedonia e Veriut shënon tre dekada nga Dita e pavarësisë, nga koha kur e pranuam demokracinë dhe e mbrojtën me Kushtetutën tonë- lirinë, të drejtat themelore të njeriut dhe drejtësi për të gjithë. Demokracia jonë lindi pas gjysmë shekulli sundimi autoritar. Pas rënies së komunizmit, njëherësh kaluam nëpër një proces të vështirë të ndërtimit të shtetit dhe demokracisë”, ka thënë Pendarovski në fjalimin e tij.
Në fjalimin e tij, Pendarovski, siç ka informuar kabineti i tij, ka folur edhe për ndikimin rajonal mbi shoqërinë multi- kulturore me të cilën arritën të ndërtojnë dhe mbajnë model funksional të demokracisë multietnike.
“Qëllimet strategjike për anëtarësim në NATO dhe BE kanë qenë nxitje e fuqishme që në mënyrë plotësuese të forcohet besimi i qytetarëve në modelin demokratik të menaxhimit. Megjithatë në dekadën e fundit, në të gjitha kontinentet por edhe në demokracitë e konfirmuara, kemi parë rritje të popullzimit dhe tendencave autoritare që e sfidojnë demokracinë dhe e bëjnë të pambrojtur”, thotë presidenti.
Ai ka shtuar se nuk ekziston alternativë dhe nuk duhet të humbet kohë. Sipas tij, revitalizimi i demokracisë është e rëndësisë esenciale për përballje me këtë sfidë pa precedentë të kohës.
“Jemi të vetëdijshëm plotësisht se siguria jonë, prosperiteti, liritë dhe të drejtat themelore janë të ndërlidhura mes veti. Maqedonia e Veriut plotësisht e mbështet arsyen kryesore për këtë tubim dhe është e gatshme përsëri të angazhohet mbi bazat e lirisë botërore”, ka thënë Pendarovski.
Nga kabineti i presidentit Pendarovski informojnë se samiti ka për qëllim nxitjen e përpjekjeve dhe iniciativave për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjes nga autoritarizmi, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe prezantimin e sfidave me të cilat përballet demokracia në nivel global dhe vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe SHBA-në.
Ndryshe, në samitin dyditor marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive, zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe organizatave qytetare si dhe nga sektori privat.




