FC Prishtina përgatitjet për garat në stinorin pranveror i ka nisur më 5 janar.
Skuadra prishtinase po stërvitet në kryeqytet në fushën e saj në Bërnicë, sallë të mbuluar, fitnes si dhe parkun e Gërmisë.
Faza e parë po shkon shumë mirë nën drejtimin e trajnerit Abdulah Ibrakoviq dhe stafit të tij, sipas faqes zyrtare të klubit.
Gjendja e futbollistëve është e mirë ndërkohë që me 17 janar skuadra udhëton për përgatitje në Antalia të Turqisë ku do të qëndrojë deri më 2 shkurt.
Në Turqi pritet që të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore derisa për emrat e kundërshtarëve do të njoftoheni në ditët në vijim.
Nga FC Prishtina zyrtarisht janë larguar Florent Avdyli, Sodiq Atanda, Sabjen Lilaj, Kristi Vangjeli, Besart Berisha, Xhevdet Shabani dhe Olt Mehmeti.
Klubi është në negociata për transferimin e disa futbollistëve emrat e të cilëve do të bëhen publik në ditët në vazhdim.
Prishtina stinorin pranveror e nis me ndeshjen e Kupës së Kosovës ndaj Drenicës, sfidë e cila vlen për fazën çerekfinale më 6 shkurt.
Prishtina në kampionat ka përfunduar në vjeshtë në pozitën e pestë me 24 pikë, 11 më pak se lideri Gjilani.