Tetovë, 3 qershor – Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës sot mbajti mbledhjen e tretë të tij ku u diskutua për situatën pas përmbytjeve dhe zjarrit që kaploi depon për materiale izoluese në qytetin e Tetovës. Kryetari Bilall Kasami informoi se ka mbi 130 raste të regjistruara të dëmeve të bëra edhe nga zjarri edhe nga vërshimet.
“Prej tyre 97 janë shtëpi të vërshuara, ndërsa të tjerat janë infrastrukturë publike e dëmtuar, institucione dhe parcela bujqësore. Pasi nuk kemi përgjigje nëse do të ketë komision qeveritar për dëme, nuk kemi informacion të tillë, nuk presim nga Qeveria dhe nga e hëna do të dalin në teren komisioni komunal dhe do të kemi informacione se sa janë dëmet”, deklaroi Bilall Kasami.
Gjithashtu komuna do të fillojë me dezinfektim intensiv dhe pastrim të rrugëve.
“Sa i përket pastrimit dhe dezinfektimit, informojmë se në kuadër të Komunës me kapacitetet tona është bërë kjo. Pritëm por nuk patëm përgjigje nga Qeveria se në cilën pjesë do të përfshihen ato. NKP dhe zjarrfikësit intensivisht do ta vazhdojnë atë proces të pastrimit dhe dezinfektimit. Do të ballafaqohet Komuna e Tetovës me të gjitha pasojat nga vërshimet”, tha Kasami.
Ai informoi se me urdhër të prokurorit publik është bërë mbikëqyrje në vendin e ngjarjes dhe pritet informacion për shkaqet e djegies së fabrikës.
“Fabrika është nën mbikëqyrje, materialet nuk mund të hiqen nga aty derisa nuk dihen shkaqet e zjarrit. Qeveria është informuar me kohë por nuk ka përgjigje se në cilën pjesë Qeveria do të dalë në ndihmë. Ne presim që do të ndihmojë dhe me forca të përbashkëta të përballemi me situatën”, deklaroi Kasami.
Në mbledhjen e NJTKZ-së njoftuan se situata është e qetë dhe në gjendje normale, mirëpo NJTKZ nga kjo situatë ka pësuar dëme materiale dhe shumë prej stafit të Njësisë së Zjarrfikësve kanë probleme shëndetësore pas atij intervenimi për shuarjen e zjarrit.
“Nga Instituti për Shëndet Publik në Tetovë, paralajmëruan se të gjithë zjarrfikësit do të bëjnë analiza të detajuara të gjakut për të konstatuar gjendjen e tyre. Nga inspektorati komunal raportuan se së bashku me inspektoratin shtetëror për ambient jetësor kanë dalë në terren dhe kanë bërë inspektimet e nevojshme lidhur me ambientin jetësor”, potencuan nga Shtabi i Krizës.
Nga Sektori për veprimtari komunale raportoi se vërshimet kanë shkaktuar probleme të dukshme në infrastrukturën rrugore, mirëpo kanë filluar që të bëjnë intervenime për të sanuar problemet e shkaktuara nga vërshimet, siç janë rrugët “146” dhe rruga nga Shipkovica deri në Brodec.