Fillimisht tërhiqet zvarrë e pastaj futet në njërën nga dhomat e kopshtit “Gëzimi ynë” siç ilustrohet me videot e kamerave brenda institucionit publik. Aty po dyshohet se L.H u rrah, gjë për të cilën familjarët publikuan edhe fotografi.
Këta po besojnë se veprën e kryen dy edukatore dhe një kuzhiniere. Nëna e tre vjeçarit që është mësimdhënëse me profesion thotë se rastit do t’i shkojë deri në fund jo me dhunë, por nëpërmjet ligjit.“Me të thanë të drejtën kom qajt shumë, s’di shumë e rëndë ish për mua si nënë, por betohem se kam me i shku deri në fund.” deklaroi Fitore Geci Hyseni.3 vjeçari sipas avokatit të familjes, Nasuf Hasani, nga e premtja kur ngjau rasti, ka pasur ankth e trauma të rënda psikike.“Punëtorët e kopshtit kanë kryer vepër penale. Hera e parë ka qenë, fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar nga fëmijët e tjerë.” u shpreh Hasani.Ai tha se drejtoresha e kopshtit ka qenë konstruktive në këtë rast, megjithatë vetë Sherife Maqedonci Ternava, qe fjalë pak, vetëm pohoi se rastin ia lë në dorë policisë. Detaje rreth asaj se çka gjetën nuk dhanë as inspektorët e Ministrisë së Arsimit. Megjithatë të dyshuarat për këtë rast do të pezullohen nga puna.“Po pretendohet se është dhunë, por unë nuk kisha me quajt dhunë deri në momentin që vërtetohet prej ekspertëve.” deklaroi Fatlum Berisha, Drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë.Prokuroi i shtetit i ka dërguar në ndalim për 48 orë dy të dyshuarat N.H 56 vjeçe dhe N.M 64. Avokati i kësaj të fundit tha se rasti është hiperbolizuar nga prindi i fëmijës e edhe nga mediet.“Nuk ka qenë tërheqje zvarrë, por vetëm një ndalesë, që kanë qenë edhe persona të tjerë punonjës të çerdhes që i kanë ndihmu edukatores.” pohoi Bajram Zogiani.Ankesa drejtuar këtij institucioni ka edhe një prind tjetër, e cila këtu e sillte djalin deri vitin e kaluar.“Nuk e di për dhunim, ama çdo herë që është grithë ndonjë fëmijë, ia kanë lanë fajin djalit tim. Kanë dashtë me ma përjashtu fëmijën veç pse është hiperaktiv.” tha Mimoza Gjurkaj.Megjithatë pati edhe të atillë që nuk kanë parë dhunë tek fëmijët, por që rasti i fundit, i ka shqetësuar.