Shkup, 27 prill – Seanca e Këshillit gjyqësor, ku, siç njoftoi dje zëvendës-kryetari Selim Ademi, do të votohet për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi me propozimin e tij u shkarkua nga detyra Vesna Dameva, është shtyrë për datën 2 maj në orën 11:00.
Ademi sqaroi se këtë e kanë vendosur anëtarët e Këshillit, pasi bëhet fjalë për një punë shumë të rëndësishme, për të cilën u pajtuan që prania e 13 anëtarëve ishte e nevojshme, tetë votuan pro shtyrjes dhe katër anëtarë ishin kundër.
“Sot ishte caktuar seanca e 439-të, por tashmë kemi debatuar që kur të zgjedhet kryetari i Këshillit Gjyqësor, është mirë dhe e dëshirueshme që të jenë të pranishëm 13 anëtarët dhe Këshilli të jetë në përbërje të plotë. Por për shkaqe të arsyeshme, një anëtar i Këshillit gjyqësor nuk është i pranishëm dhe të gjithë jemi dakord që kur kemi një pikë kaq të rëndësishme, të jemi të gjithë të pranishëm dhe për ato arsye sugjeroj që ajo të mbahet më 2 maj”, deklaroi në seancë zëvendës-kryetari.
Ai nuk dha deklaratë për gazetarët, të cilët kërkuan sqarime për vërejtjet e organizatave joqeveritare dhe ekspertëve se shkarkimi i djeshëm i Damevës ishte i joligjor dhe në kundërshtim me procedurat dhe Rregulloren e punës, ndërsa nuk u përgjigj se si dje për shkarkimin nuk kërkohej prania e të gjithë anëtarëve, ndërsa sot për zgjedhjen e një të riu, kërkohet.
Ademi, në prani të Damevës, pas tensioneve dhe zënkave disaorëshe në seancën e djeshme në Këshill, ka marrë drejtimin e seancës dhe ka propozuar që me ngritje dore të votohet për shkarkimin e saj. Për shkarkimin e Damevës votuan shtatë anëtarë – Selim Ademi, Milazim Mustafa, Hanif Zendeli, Mirsad Suroi, Sashko Georgievski, Loreta Georgieva dhe Pavlina Cërvenkovska, pas çka zëvendës-kryetari deklaroi se kryetarja aktuale është shkarkuar dhe nuk mund ta menaxhojë më seancën dhe caktoi seancën e sotme për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Shkarkimi i Damevës shkaktoi reagime në opinion dhe tek ekspertët në gjyqësor se në fakt bëhet fjalë për mosrespektim të procedurës dhe Rregullores së punës.