Senati i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim që ta përjashtojë profesorin e Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në UP.
Lajmi është bërë i ditur nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë, ku thuhet se vendimi është marrë pas shkeljeve të vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.
“Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet te përjashtohet përfundimisht se shpejti”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Tutje, thuhet se menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhën kërcënuese e deri në kanosje fizike të profesorit Bejta ndaj studentëve dhe personelit.
“Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve, që kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhen kërcënuese e deri në kanosje fizike te profesorit Bejta ndaj studenteve dhe personelit, tani kanë rastin e fundit për reflektim. Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garancia më e madhe dhe korrekte”.
“Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garanca më e madhe dhe korrekte. Universiteti nuk është institucion për rehabilitim dhe integrim, e as arenë e sporteve luftarake!”, përfundon njoftimi për media.
Bejta është akuzuar nga studentët për kërcënim, shantazh e ushtrim të dhunës psikologjike. E javën e kaluar në media është publikuar një audioincizim në të cilin dëgjohet ai duke ju drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.