Agjencia Zhurnal.mk.

Shfaqja teatrale që pos kritikës nuk i mungoi asgjë “Exodus”

Shkup, 7 dhjetor – Shfaqja e mbrëmshme në qytetin e Kumanovës shfaqi një realitet të trishtë që prek secilin qytetarë. Emërtimi i shfaqjes ishte i duhuri “Exodus”, duke treguar edhe përmbajtjen e asaj që do të shfaqet. Nga komentet e veshura me petkun e komplimenteve që u dëgjuan në fund të shfaqjes konstatohej se kësaj shfaqje nuk i mungoi asgjë, përpos kritikës. Salla ishte e mbushur në tre anë me një publikë të moshave dhe gjinisë së kombinuar, disa me miq e disa në çifte. Shumë të pranishëm asnjë kritikë, kjo flet për mungesën e mendimit kritik apo frikën nga hatërmbetjet e aktorëve, përgjigja e kësaj pyetje nuk mund të jetë e saktë nëse nuk provohen dyja, edhe kritika edhe lavdet e kulluara. Në fakt, shfaqja kishte një publik të cilët u vendosën në rolin e “jurisë komplimentuese” jo profesionale dhe në anën tjetër kishte mungesë të një “trupi kritikues” që do të thoshte të paktën një kritikë. Pajtohem me të pranishmit, shfaqja ishte fantastike por nuk ishte perfeksioniste, hapësira për kritikë ka qenë më e madhe sesa ato pak katror të sallës së vogël. Vlerësimi më i madh për aktorët vazhdon të jetë kritika reale dhe objektive, prandaj nëpërmjet kritikës në vazhdim do ta plotësojmë edhe këtë mungesë të vetme të shfaqjes së mbrëmshme, shkruan Zhurnal.

Kritika teatrale është ilaç i teatrit

Ajo me të cilën përballesh porsa futesh në sallë është skenografia e përgatitur. Në fakt, kishin zgjedhur një sallë të vogël që po i shtrive këmbët të preknin në murin tjetër, ora e vendosur në mes të skenës kishte kuptim, por akrepave 18:15 nuk u dihej kuptimi, mbase janë vendosur rastësisht si vend qarkullimi për aktorët. Melodi drithëruese që i përshtatej paraqitjeve të aktorëve në skenë, hera herës ngatërrohej përgjegjësi me meloditë e përzgjedhura që në kulmin e emocioneve shkaktonte kaos të brendshëm e që përcillej edhe jashtë. Lëshimi tjetër ishin hyrjet e vazhdueshme të publikut në sallë që shkaktonin dekoncentrim dhe irritim të publikut të pranishëm. I ngjante një dasme ku dasmorët edhe pse vonohen futen në restorant duke kërkuar ulëset më afër pamjes(prandaj dera e madhe e salles së vogël duhej të mbyllej me fillimin e shfaqjes). Këpucët e vendosura përreth orës në mes të skenës përçnonin mesazh kuptimplotë, si dhe të bërtiturat e aktores kur fuste këmbën në këpucët e braktisura simbolizonte dhimbjen e thellë. Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e këpucëve të fëmijëve, eksodi masiv në vete ka marrë edhe shumë fëmijë. Mungesa e këpuceve të fëmijëve e bënte jo të plotë realitetin e trishtë të eksodit. Mangësia tjetër ishte numri i vogël i aktorëve për ta përcjellë mesazhin e madh e të duhur, ikja e më shumë se 200 mijë të rinjve nga vendi është e vështirë të demonstrohet vetëm me dy aktorë. Shfaqjes i mungonin skena të të moshurve të vetmuar, klasave të boshadisura, pasqyrës reale të jetës në kurbet(dy palë rrobash, të punës dhe pizhame). Ndryshe, ajo që binte në sy ishte edhe radhitja e publikut në skenë që ishte në mënyrë të papërshtatshme ku shpesh shpërqendrohej shikimi i shfaqjes nga shikimet e këmbyera mes publikut të cilët ishin të vendosur ballë për ballë. Në njërën anë peshorja e përmbysur në anën tjetër fleta me mbishkrimin “shpresë” ishin në kundërthënje njëra me tjetrën. Por, sidoqoftë urojmë që shpresa mos të humbet e peshorja e drejtësisë të funksionojë si duhet.

Vlerësime nga “juria jo profesionale” –

Pas përfundimit të shfaqjes salla dridhej nga duatrokitjet e pandalshme e të pandashme të publikut. Me fytyra të mërzitura e të gjithë të ngritur në këmbë, secili e shprehte emocionin e tij të brendshëm në pamjen e jashtme, sepse pothuajse të gjithë të pranishmit kishin një e mos më shumë anëtarë të familjes që kishin kaluar të njëjtën skenë taetrale në jetën reale.

Më vonë publiku filloi të jap komplimente pa reshtur për aktorët e skenaristin për këtë shfaqje, disa me komente të natyrës, keni shkëlqyer, disa të tjerë perfekt ka qenë, disa përshkruanin emocionin që kishin përjetuar, e kështu me radhë. E për këtë audiencë apo juri që nuk i kursejnë komplimentet e fjalët e mira kishin menduar edhe aktorët duke përgatitur një koktej simbolik me pije e ushqime në katin sipër u mblodhën të gjithë të pranishmit. Nëse përshkruhej zhurma që dëgjohej lartë ishin tundjet nga përqafimet, shtrëngimi duarve, bravo, ju lumtë, e të tjera.

Në fakt, shfaqja ngjalli emocion të sinqertë që demonstrohej edhe me lotë te të pranishmit në sallë, zëri drithërues i aktores prekte thellë në zemrat e të pranishmëve, vuajtja e aktorit nga “sindromi” gjumit ishin skena që shumë të pranishëm gjenin veten ose të afërmit e tyre. Humbja e shpresës, akuzat ndaj pushtetit, punësimi i lidhur me partizimin ishin pika që prekën aktorët e me të cilat nuk dyshohej se pajtoheshin edhe disa politikanë të pranishëm në sallë.

Përshkrimi i shfaqjes teatrale “Exodus” –

Heshtja e një burri të lodhur nga gjumi e që nuk kishte zgjidhje tjetër pos gjumit, nga njëri kënd në këndin tjetër, mbulonte kokën me çarçaf për mos të dëgjuar tingujt trishtues që dilnin nga goja e bashkëshortes së tij e cila kishte arritur në kulminacionin e mllefit. Gjithçka u shkonte mbrapsht, kishte arritur momenti i shpërthimit të pakënaqësisë së madhe dhe mos funksionimit. E gjithë kjo katrahurë kishte filluar me largimin nga puna të aktores e cila ishte kryefamiljare, nga ana tjetër burri i saj ishte i papunë. Papunësia e tij kishte vetëm një arsye mos anëtarësimi i tyre në parti politike, mungesa e librezave partiake i kishte shpier në këtë gjendje të mjerueshme.

Kryefamiljarja edhe pse me profesion aktore ishte e detyruar të punonte rrobaqepëse. Por, me një punë e kishte të pamundur t’i mbulonte shpenzimet e qirasë, ushqimin e kujdesin për familjen. Prandaj, në një mëngjes shpërtheu dhe gjithçka që i erdhi në mendje pa u menduar dy herë i tha burrit të saj. E ofendoi rëndë si të paaftë që vetëm bënë gjumë dhe alkool konsumon, si të papërgjegjshëm, i marrë e idiot. Pos, këtyre ofendimeve gruaja i bëri edhe kërkesa të çuditshme burrit të saj, duke i thënë që bënë gjithçka madje edhe vjedh vetëm siguro të holla për ta paguar qiranë e shtëpisë. Por, këto fjalë të gruas ngjanin më shumë me një monolog të saj sesa një dialog me burrin. Ajo fliste ai flinte.

Tragjedia më e madhe filloi kur gruaja i tregoi që ka ngelur shtatzëne dhe që në këtë botë të mjerueshme do të sillnin edhe një fëmijë të pafajshëm. Me të kuptuar këtë lajm bashkëshorti i pangopur me gjumë edhe pse vetëm gjumë bënte, kapi valixhen dhe vendosi të largohej nga vendi.

Gruaja e lodhur nga puna që bënte sikur rrobaqepëse e në fakt trajtohej sikur robëreshë nga punëdhënësi, me të ardhur në shtëpi pa burrin me valixhe në dorë. Ku je nisur pyeti gruaja, ai u përgjigj po shkojë në Gjermani për të punuar dhe për të siguruar jetën e tyre dhe të fëmijës që do të vinte.

Nisja e burrit për në Gjermani ishte me përplot sfida duke kaluar kufij të shumtë duke u kontrolluar e pyetur se sa para kishte me vete, përgjigja drithëruese e tij që bëri të qeshte publikun në fakt ishte përgjigje e dhimbshme, tha vetëm dy euro. Pas shumë sfidave arriti në Gjermani, filloi të kërkonte punë, u punësua menjëherë si shërbyes në kafene. Pas një dite të lodhshme mori një telefonatë nga gruaja në vendlindje e cila me zë rrënqethes dhe tonalitet të lartë, tinguj të përzier me lotë tha e humba fëmijën. Humbja e fëmijës ishte humbja e arsyes për të qëndruar më në Gjermani, u kthye i burri i saj në vendlindje.

Me zë dëshpërimi e qëndrim lodhjeje nga jeta iu drejtuan publikut me fjalët: ju pushtetarë na keni humbur shpresën, na latë pa punë, pa arsim e pa shëndetësi të mirëfilltë. Ju shkatërruat gjithçka, ju na latë neve edhe ne do tu lëmë juve…. Fjalë që rrëqethen të gjithë të pranishmit në sallë.  

Ekipi që u kujdes për realizimin e kësaj shfaqje përbëhej: nga aktorët Egzona Salihu dhe Faton Ibrahimi, si dhe Gent M. Çajani e Ardian Kadriu. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky