Shkup, 4 qershor – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e dënoi kërcënimin ndaj gazetares së Laboratorit Hulumtues të Reporterëve (IRL), Maja Jovanovska, nga ana e udhëheqësit të Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Mavrovë-Rostushë, Sadredin Elezoski.
Siç informon SHGM, Elezoski i ka drejtuar fjalë fyese Jovanovskës duke e kërcënuar me fjalët do të shohësh se çfarë do të ndodhë nëse do të vish këtu.
“Ekipi i IRL-së dje ishte në Mavrovë për një takim me disa punëtorë në komunën e Mavrovës dhe NP Parku Nacional Mavrovë. Vetëm udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm në komunë, Sadredin Elezoski, ka refuzuar të takohet me gazetarë, ndonëse, sipas Jovanovskës, është kontaktuar disa herë. Pas thirrjes së sotme të realizuar nga Sadredin Elezoskit me Maja Jovanovskën, e cila sqaroi se ende presin përgjigje për pyetjet e dërguara më 4 prill, ai i ka dërguar fyerje dhe fjalë fyese gazetares duke e kërcënuar me fjalët: “Kujdes nga sot. do të shohësh se çfarë do të ndodhë nëse do të vish këtu”. Përkundër kërcënimeve, gazetarja Jovanovska e paralajmëroi se do të kthehet në Mavrovë javën e ardhshme, pasi administrata komunale i detyrohet përgjigje për kaosin e ndërtimeve pa leje që po ndërtohen në Parkun Nacional Mavrovë”; theksohet në kumtesën nga SHGM-ja.
Ata bëjnë të ditur se rasti është raportuar sot në MPB dhe theksojnë se do të vijojnë hetimet e mëtutjeshme. Ata kujtojnë se vetëm përmes sanksionit të rreptë të sulmeve dhe kërcënimeve nga institucionet në të ardhmen do të mund të parandalohen sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
“Shteti ka obligim të sigurojë një sistem efektiv për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës ndaj gazetarëve. Ky është një parakusht themelor për përmirësimin e situatës me lirinë e fjalës. Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) ka më shumë se tre vjet që raporton për problemet urbane, krimin dhe korrupsionin në komunat e Mavrovës dhe Rostushës. Sipas kolegëve të IRL-së, komunikimi me pushtetin lokal është gjithmonë i vështirë, administrata është jotransparente dhe gazetarët e IRL e kanë shumë të vështirë të marrin përgjigje nga Sektori Urbanizmit”, theksojnë nga SHGM