Të dielën rreth orës 11:00 fabrika “Kastrati sh.p.k” që merrej me përpunimin e mjedrave në fshatin Kërpimeh të Podujevës, është përfshirë nga zjarri.
Lidhur me rastin nga Policia e Kosovës bënë të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.
Pronari i kësaj fabrike, Valon Kastrati në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se shkaktar i zjarrit ka qenë rryma.
Ai ka thënë se vlera e dëmit të shkaktuar është diku mbi 3 milionë euro.
“Shkaktarë është rryma, vlera e dëmit është diku rreth 3 milionë euro. Policia dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes. Zjarri nuk është shuar ende”, ka thënë Kastrati.
Ai ka treguar se në këtë fabrikë kanë qenë të punësuar 22 punëtorë të rregullt dhe mbi 100 punëtorë sezonal.
Së fundmi në rrjetet sociale janë publikuar edhe fotografitë pas shuarjes së zjarrit, ku shihet se fabrika në fjalë është bërë shkrumb e hi.
Kjo fabrikë është thënë se ishte shumë e rëndësishme për industrinë e mjedrës në Kosovë e veçanërisht për fermerët e mjedrës, ku çdo vit ka eksportuar mbi 300 t mjedër të grumbulluar nga qindra fermer llapjan, të cilët kanë siguruar ekzistencën prej kësaj fabrike.