Shkup, 1 dhjetor – E enjtja ishte shpallur ditë jo pune në qytetin e Shkupit, por në fakt ishte dita në të cilën u bë puna më e madhe në diplomacinë e Maqedonisë së Veriut që pas pavarësisë së shtetit. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut u shndërrua në kryeqendër globale ku kryefjala ishte Shkupi. Po mbahet takimi i Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së, ku po marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere. Përse Shkupi u bë kryeqendër globale? Sepse, po mbahet ngjarja më të madhe politike ndërkombëtare në të cilën po marrin pjesë krerët e diplomacisë së numrit më të madh të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së – SHBA, Kanada, Britania e Madhe, ministra nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, nga Mesdheu, Lindja e Afërt dhe Azia Qendrore. Prandaj, ngjarjet e kësaj fundjave do të mbesin historike për vendin dhe politikën e jashtme me fokus të veçantë diplomacinë. Kush e bojkoti këtë takim dhe përse?. Cili është qëllimi i këtij takimi dhe përse po mbahet në Shkup? shkruan Zhurnal.
Çfarë po ndodhë në Shkup?
Në Shkup po ndodhë ngjarje historike që do të lë gjurmë të thella në rrafshin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm. Shkupi po dëshmon se ka kapacitete në lidership dhe organizime të përmasave ndërkombëtare. Deri tani jemi mësuar të shohim pamje kur politikanët tanë marrin pjesë në forume dhe organizime e pritje në vende të ndryshme, por që nuk kemi parë asnjëherë që vendi ynë të jetë nikoqir i një pjesë të madhe të botës.
Shkupi u shndërrua nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut në kryeqendër globale dhe destinacion në të cliin zbarkuan krerë të lartë të shteteve në gjitha anët e botës. Ajo që ishte më e habitshme dhe diskutabile ishte prezenca e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, kishte zëra që nuk do të jetë ose nuk duhet të jetë. Por, me aterimin e tij në Shkup, gjitha dilemat u shuan. Ai dje ishte prezent në takimin e parë të planifikuar në kuadër të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së.
Takimi ministror nisi në mbrëmjen e së mërkurës me darkën joformale të shumicës së ministrave, ku temë e bisedës ishte agresioni ushtarak ndaj Ukrainës dhe nevoja për një Organizatë funksionale në kohë konfliktesh dhe tensionesh të shtuara.
Në darkën joformale morën pjesë edhe Sekretari shtetëror amerikan, Antony Blinken dhe nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Zhozep Borrell, të cilët u larguan menjëherë pas darkës. Takim i Blinkenit me Lavrovin nuk u paralajmërua dhe nuk ndodhi, ndërsa edhe Borrell para mbërritjes deklaroi se nuk do të bisedojë me ministrin rus të Punëve të Jashtme Lavrov.
Kush e bojkotoi këtë takim dhe përse?
Takimin e OSBE-së në Shkup vendosën ta bojkotojnë Ukraina dhe vendet baltike, për shkak të pranisë së Lavrovit. Mbrëmë atyre iu bashkua edhe Polonia.
“Ne thjesht nuk mund të anashkalojmë faktin që Ministri rus i Punëve të Jashtme do të jetë i pranishëm në tryezën e organizatës që supozohet të ndërtojë paqen dhe sigurinë në Evropë”, tha ministri polak i Punëve të Jashtme, Shimon Shinkovski vel Sek.
Cili është qëllimi këtij takim dhe përse pikërisht po mbahet në Shkup?
Këshilli i Ministrave të 57 shteteve anëtare të organizatës më të madhe në botë për siguri OSBE-së po zhvillojnë takimin e tyre në Shkup për të shënuar fundin e kryesimit njëvjeçar të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në. Kryesuesi i ri do të jetë Malta pasi u arrit një kompromis mes vendeve anëtare të hënën pas një vetoje nga Rusia dhe Bjellorusia për Estoninë si shtet i propozuar për të udhëhequr me OSBE-në.
Ministrat e Punëve të Jashtme do të diskutojnë edhe për çështjen e buxhetit të Organizatës, si dhe mandatet e katër zyrtarëve të lartë të OSBE-së, përfshirë diplomaten gjermane Helga Smid si sekretare e përgjithshme. Mandati i tyre përfundon më 4 dhjetor dhe ende nuk ka marrëveshje nëse dhe kush do t’i trashëgojë, për shkak të vërejtjeve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Këshillin Ministror të OSBE-së do të ndjekin nga mbi 300 gazetarë nga vendi dhe jashtë vendit.
Prezenca e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në Shkup sado që u interpretua si fitore për Rusinë në arenën ndërkombëtare, sërish mbetet diskutibile dhe çështje e analizës më të thellë. Sepse, prezenca e tij në Shkup më tepër ishte çështje e imponuar sesa e dëshiruar. Rrezikohej e ardhmja e OSBE-së për sa i përket bllokadës ruse dhe Bjellorusisë, problemet me buxhetin dhe një sërë problemesh tjera kishin vë në ngërç të brendshëm organizatën më të madhe për siguri. Dhe, korridori i vetëm për të tejkaluar këtë krizë të brendshme OSBE ishin të detyruar të krijojnë hapësirë ajrore dhe tokësore që edhe Lavrov të merr pjesë në këtë takim.
Kujtojmë që OSBE-ja është një organ i lindur nga Lufta e Ftohtë, i përbërë nga 57 vende nga Evropa, Amerika e Veriut dhe Azia. Mandati i saj përfshin monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e negociatave të paqes. Me sistemin e saj që kërkon unanimitet, OSBE-ja është ndër organet ndërkombëtare të ekspozuara ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të riformuar rendin global në dritën e luftës së saj në Ukrainë. Pushtimi rus kërcënoi konceptin bazë të sigurisë bashkëpunuese, të cilin OSBE-ja e mishëron. /Zhurnal.mk




