Agjencia Zhurnal.mk.

Shkupi mban stafetën e ajrit të ndotur, Arsovska arsyetohet në vend të veprimit!

Shkup, 22 dhjetor – Qyteti i Shkupit përgjatë këtij viti mbante pozita të larta në gjithë botën, për sa i përket ajrit të ndotur. Nga kabineti i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në vend të aplikimit të masave për uljen e shkallës së ndotjes së ajrit, kanë akuzuar mediat për përhapjen e lajmeve të rreme për ndotjen e ajrit, pasi më të ndotura se Shkupi, sipas tyre, janë Tetova, Kavadari, Strumica. Ndotja e ajrit ndikon në rritjen e numrit të pacientëve që vuajnë nga astma, sëmundjet obstruktive, sëmundjet kronike jo të transmetueshme e të tjera. Pra, mungesa e masave serioze kundër ajrit të ndotur krijon situatë alarmante për shëndetin e qytetarëve fati i të cilëve ka mbetur në adresë anonime, askush nuk kujdeset për këtë pjesë që prek në mënyrë direkte shëndetin e qytetarëve, shkruan Zhurnal.

Shkupi me shifra katërfish më të larta të ndotjes së ajrit sesa normat e lejuara –

Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duke iu referuar stacioneve matëse të cilësisë së ajrit, tregojnë parametra të lartë të ndotjes së ajrit, nga 100 deri në mbi 400 mikrogramë për metër kub grimca PM, në qytetin e Shkupit si dhe në qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut, si Kavadari Tetova, Koçani, Strumica etj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja është e rrezikshme për shëndetin nëse mesatarja e grimcave PM10 kalon 45 mikrogramë për metër kub në 24 orë, ndërsa për grimcat PM2.5 tejkalimi mesatar nuk duhet të jetë më shumë se 15 mikrogramë për metër kub. Por, në bazë të dekretit të dikasterit të ambientit, autoritetet obligohen të ndërmarrin masa për  nga ndotja e ajrit nëse mesatarja e ndotjes është 150 mikrogramë për metër kub për dy ditë rresht.

Mirëpo, nga kabineti i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në vend të aplikimit të masave për uljen e shkallës së ndotjes së ajrit, kanë akuzuar mediat për përhapjen e lajmeve të rreme për ndotjen e ajrit, pasi më të ndotura se Shkupi, sipas tyre, janë Tetova, Kavadari, Strumica etj.

“Shërbimi global monitorues ‘ËAQI’, i cili tregon të dhëna në kohë reale për cilësinë r ajrit në të gjitha qytetet e botës, tregon qartë se Shkupi nuk është qyteti më i ndotur në Maqedoni dhe as në botë”, thanë nga kabineti i Arsovskas për REL.

Nga ana tjetër, nga organizata joqeveritare Nisma O2, e cila në fokus ka mbrojtjen e ambientit, thanë se për mungesën e seriozitetit të autoriteteve shtetërore flet dhe fakti se shumica parlamentare ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që kanë të bëjnë me rritjen e buxhetit për Ministrinë e Ambientit Jetësor për menaxhimin e problemeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Pavarësisht kësaj, nga buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Ambientit Jetësor janë ndarë 30.4 milionë euro, shumë kjo më e ulët se ajo e vitit të kaluar, ndërsa është zvogëluar edhe numri i të punësuarve në Inspektoratin e mjedisit. Ndërkohë, Komuna e Shkupit për t’u përballur me ndotjen e ajrit ka ndarë 790.000 euro – vlerë kjo shumë më e vogël sesa në vitin 2022 kur ishin ndarë 1.4 milion euro.

Ky është absurditet në vetvete pasi me buxhet më të lartë nuk kishin mundësi të menaxhonin edhe të zbutnin ndotjen e ajrit, tani qytetarët në pritje të masave më serioze dhe të më të rrepta që para vjeshtës të ndërmerren, masat e Qeverisë kanë qenë në atë drejtim të zvogëlimit të buxhetit për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Dhe, tani mbetet të shihet nëse ky zvogëlim buxheti do të zvogëloj ndotjen e ajrit, veprimet e tilla në mënyrë të drejtpërdrejtë flasin për atë se si trajtohen qytetarët, dhe se sa brengosen qeveritarët për shëndetin e qytetarëve. Kjo është për keqardhje sepse pasojat do të vërehen ditëve në vijim, kur qytetarët nuk do të kenë mundësi të dalin nga oborret e tyre, e me ajrosjen e dhomave fusin dioksid karboni e ajr të ndotur.

Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?

Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.

Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.

Pasojat nga ajrit ndotur?

Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.

Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.

Me ministra që nuk brengosen dot nga ndotja e ajrit, deponitë që të zënë sytë pothuajse në secilin qytet, hapësira të gjelbra që mund të shihen vetëm po u vendosen “syze të gjelbra”, mungesë e parqeve, e shumëçka tjetër mjedisi vazhdon të mbetet në greminë. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky