Agjencia Zhurnal.mk.

SHPORTA E SHPRESAVE TË HUMBURA

Nga: Nonda Bulka (dhjetor 1933)

Çdo revistë, çdo gazetë, ka nga një shportë të madhe ose të vogël, ku varrosen pa mëshirë qindra shpresa gënjeshtare të atyre që duan të shkruajnë diçka, por nuk arrijnë dot. Tragjike, po e domosdoshme, kjo shportë është ajo, dhe vetëm ajo, termometri i vërtetë i vleftës së një fletoreje.

Është një shportë e vogël, e bukur, prej kashte, që përgjithësisht ndodhet në këndin e djathtë të redaksisë. Ka ditë që shihet nevoja për një shportë të dytë. Ka raste në të cilat shporta e shpresave s’ka gjë brenda. Përgjithësisht, diçka zbardhon në fundin e saj.

Vizitova një ditë gjithë shportat e kryeqytetit. Janë gjithë-gjithë tri. I mora në dorë shportat tragjike, nxora symbyllur një copë letër të bardhë dhe të zezë dhe lexova një vjershë. Vjershë!? Vjershë i thënçin, se poeti i panjohur s’kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte ngjitur fjalë si: “burrë, gurrë, drurë, sëmurë”, dhe kishte pretension të quhej vjershëtar.

Nxora një tjetër: edhe kjo ishte njëfarë novele, me një shqipe të sakatosur. Intriga e novelës ishte interesante: “Një djalë dhe një vajzë që (natyrisht) dashuroheshin, mbasi shkëmbyen nja njëzet ah-e dhe oh-e, pinë helmin ose vranë veten me kobure (s’e sjell dot ndër mend). E tërë novela prej gjashtë faqesh, ja kishte, ja s’kishte gjashtë pika. Që të këndoje një frazë, s’ishte çudi të pëlcisje nga asfiksia.

Dhe pastaj hodha dorën në shportën tragjikomike për të gjetur diçka interesante. Dhe, o çudi! Gjeta diçka timen. E kisha harruar; shporta ma kujtoi.

Pse revistat ose gazetat kanë nga një shportë, nuk është një arsye që të rinjtë të dëshpërohen. Përkundrazi, shporta duhet t’i inkurajojë të përpiqen që të mos hidhen në shportë shpresat e tyre të djalërisë.

Dhe kush nuk e ka shijuar helmin e shportës së shpresave?

Dhe kujt nuk i kanë thënë shokët me ironi:

– Ta hodhën në shportë artikullin? Shporta e shpresave të humbura vlen dhe do të vlejë, gjersa letërsia s’ka marrë një përkufizim të kthjellët, gjersa arti letrar s’ka arritur në kulmin e vërtetë.

Related posts

RAMON

D V

Poezia më e vjetër e dashurisë

D V

VARGJE

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky