Agjencia Zhurnal.mk.

Shqipëria te portat e Europës

NGA AKADEMIK ANASTAS ANGJELI/ Shqipëria ka hapur zyrtar isht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Portat e Europës u hapën për Shqipërinë. Për koincidencë, por jo rastësisht, kjo përkon dhe me 100-vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA-në, partnerin tonë strategjik, mbështetja e të cilit ka qenë vendimtare në integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike dhe hapjen e negociatave me BE-në.

Një rrugëtim i gjatë drejt BE-së, gati 30-vjeçar, që përfundoi, por një rrugëtim i ri fillon deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Një rrugëtim drejt Bashkimit Europian, që është ende i gjatë. Gjatë këtyre 30 viteve tranzicion, integrimi europian ishte motivi kryesor i çdo procesi politik dhe synimi kryesor i gjithë politikëbërjes në vend. Sigurisht që ky rrugëtim ishte dhe do të vazhdojë të jetë i vështirë, por finalizimi i tij do të jetë me vlera dhe rëndësi historike për vendin dhe sidomos për brezat e rinj, për të ardhmen e tyre.

NJE HISTORIK I SHKURTER

Bashkimi Europian është investuar politikisht në zgjerim dhe e konsideron këtë strategji si një nga më të suksesshmet e tij. Prandaj tregon interes të madh edhe për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor brenda tij. Që në një fazë të hershme, Komisioni Europian mori një rol kyç në promovimin e axhendës së zgjerimit, duke shtuar ritmin dhe shtrirjen e procesit, veçanërisht në një kontekst gjeopolitik që ndryshon me shpejtësi, që përfshin, ndër të tjera, luftërat në ishJugosllavi dhe zgjerimin e NATO-s.

Ajo që vlen të përmendet është se që nga themelimi i tij, në fund të viteve 1980, politika e Bashkimit Europian në rajonin më të gjerë të qendrës dhe Europa Lindore udhëhiqet nga parime themelore siç është nevoja për një kornizë të vetme politike të hapur për të gjitha vendet e rajonit, të cilat po përpiqen të thellojnë marrëdhëniet e tyre me BE-në.

Që nga viti 2003, kur u zhvillua në Selanik Samiti i Këshillit Europian, Bashkimi Europian argumentoi se e ardhmja e rajonit është pjesë integrale e tij. Kjo perspektivë fikse integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është në interesin politik dhe ekonomik të Unionit. Është një investim gjeostrategjik për një Europë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, që bazohet në vlerat e saj të përbashkëta.

Një perspektivë bashkimi është çelësi nxitës i transformimit në rajon dhe, në të njëjtën kohë, forcon kolektivin, integrimin, sigurinë, prosperitetin dhe mirëqenien sociale të Unionit, por gjithashtu promovon pajtimin dhe stabilitetin. Në përgjithësi, ai është një investim në sigurinë, rritjen ekonomike dhe ndikimin e Bashkimit Europian, si dhe në aftësinë e tij për të mbrojtur qytetarët e tij. Prandaj, roli i Bashkimit Europian është kryesisht stabilizues, pasi secili vend ka aplikuar ose ka shprehur interes për t’u pranuar në Bashkimin Europian. Përveç sa më sipër, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për perspektiva të besueshme të zhvillimit europian.

Flukset buxhetore të BE-së pas anëtarësimit mund të ofrojnë fondet e nevojshme për perspektiva të tilla. Megjithatë, eksplorimi drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk është i dobishëm jo vetëm për vendet që i përkasin këtij rajoni, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Për më tepër, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tashmë janë të integruara ngushtë me Bashkimin Europian. Gjithashtu, BE-ja është partneri më i madh tregtar i vendeve perëndimore të Ballkanit, burimi më i madh i investimeve të huaja të brendshme dhe flukset financiare, si dhe njerëzore (fuqia punëtore).

E dhënë për nga pozicioni i tij gjeografik, rajoni është i rëndësishëm për Bashkimin Europian në aspektin e sigurisë, stabilitetit, investimeve, tregtisë dhe rrugëve tranzit. Prandaj, perspektivat ekonomike dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e tyre në një kontekst europian, duhet të mbeten një nga prioritetet kryesore për BE-në.

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka nisur që prej vitit 1991, kur Shqipëria përmbysi sistemin komunist dhe iu drejtuar sistemit demokratik në vend dhe rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Europian, duke shprehur vullnetin e saj për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Sa u përket fazave që Shqipëria ka përmbushur, të cilat kulmojnë me Tryezën e Parë Ndërqeveritare në 19 korrik 2022, nisin me: Samiti i Selanikut: Në vitin 2003, Samiti i Selanikut përbën hapin e parë për një vendimmarrje të rëndësishme në lidhje me perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, ku përcaktohen hapat e shfrytëzimit të instrumenteve të përdorura në vendet e tjera anëtare.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA): Është ky momenti i parë që hidhen bazat politike dhe ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në vitin 2004. Marrëveshje e cila përbën kuadrin politik dhe ligjor për procesin e anëtarësimit të vendit në BE, por edhe kuadrin e përbashkët të marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ne vitin 2008, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Kërkesa zyrtare për anëtarësim: Pesë vite më pas, në prill të 2009, shteti shqiptar dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Liberalizimi i vizave: Një prej hapave më të rëndësishëm për Shqipërinë ishte liberalizimi i vizave në qershor të vitit 2010, kur Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton heqjen e vizave me Shqipërinë.

Statusi i vendit kandidat: Në qershor 2014, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian aprovoi në mënyrë unanime dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo përbën edhe një prej momenteve kyçe për procesin e avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Hapja e negociatave: Këshilli Evropian i Bashkimit në 20 mars 2020, miratoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë duke formalizuar arritjet e Shqipërisë drejt integrimit. Që prej fillimit të procesit të anëtarësimit, Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e secilit prej tyre, por nga ana tjetër, një sërë fushash kyçe mbeten ende për t’u përmbushur, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kriteret politike, administrative, si: forcimi i strukturave për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, reformat në sistemin gjyqësor, por edhe ato ekonomike, si politika fiskale dhe monetare, prokurimet publike, forcimi i tregut të brendshëm, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, zhvillimi i gjelbër dhe blu, qëndrueshmëria, bujqësia dhe zhvillimi rural.

Në mënyrë që të promovojë më tej progresin në rajon, BE-ja duhet të ndihmojë në konsolidimin e paqes, promovimin e stabilitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, zgjidhja paqësore e konflikteve, duhet të mbështetet në bashkëpunimin midis vendeve të rajonit, ndërsa terrorizmi, dhuna dhe ekstremizmi duhet të dënohen. Në këtë kontekst, BE-ja duhet të promovojë dialogun politik dhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme të përbashkët dhe sigurisë politike, duhet të nxisë kohezionin social, etnik dhe tolerancën fetare, multikulturalizmin etj.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria megjithëse i kishte plotësuar të gjitha kërkesat për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat për arsye të dinamikave të brendshme të Bashkimit Europian, si dhe krizave të njëpasnjëshme, siç ishte ajo ekonomike-financiare, kriza e emigrantëve, kriza e pandemisë, ajo që ka nisur prej luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilat testuan vetë kohezionin e BE-së, ia arriti rishtazi t’i njihen meritat dhe t’i jepet hapja e negociatave.

Sigurisht që gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka bërë hapa përpara në të gjitha drejtimet dhe kryesisht nëpërmjet Reformës në Drejtësi, ka hedhur baza më të qëndrueshme për përafrimin me Bashkimin Europian. Gjithashtu, edhe roli stabilizues që Shqipëria si një anëtare e NATO-s ka demonstruar në rajon, është një garanci më shumë për Bashkimin Europian dhe për vendet e tij anëtare për të mbështetur vendin tonë në këtë rrugëtim. Siç përmenda edhe më sipër, një pjesë e rrugëtimit përfundoi me sukses vetëm për të filluar një rrugëtim tjetër po aq i rëndësishëm dhe po aq sfidues, siç është ai i vendit kandidat në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

HAPJA E NEGOCIATAVE DHE STADET QE DUHEN NDJEKUR

Hapja e negociatave të vendit tonë me BE-në është vazhdim i rrugëtimit, por natyrisht një proces i stadit të ri, jo i lehtë, një sfidë e re që kërkon përkushtim e profesionalizëm, vendosmëri dhe shumë punë.

Vendet kandidate për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian, duhet të përafrojnë legjislacionet e tyre me atë të BE-së. Acquis comunitaire përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme, të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin etj. Çdo kapitull nënkupton një proces negociues të veçantë, duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra. Acquis communautaire është në thelb baza ligjore e Bashkimit Europian, e cila gjendet në një proces dinamik të vazhdueshëm.

Acquis Communautaire përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre, si dhe aktet juridike te Gjykatës Europiane të Drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Europian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të BE-së, si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së.

Pranimi i acquis communautaire nga vendet anëtare është parakusht për integrimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen, harmonizimin e legjislacioneve kombëtare me normat e BE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e hyrjes në BE. Çdo kapitull përmban një proces diskutimi të veçantë dhe, në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli dhe vendi kandidat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së për të përcaktuar dallimet mes të tyre. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për kapitujt e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime.

Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet kandidate kanë për të bindur BE-në se aftësia administrative e tyre është e gatshme të zbatojë ligjin europian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dyja palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferencën Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së dhe vendit kandidat. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Komisioni Europian, së bashku me vendin kandidat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave (të çdo kapitulli), për të përcaktuar përgatitjen e vendit kandidat.

Pas konfirmimit se të gjitha standardet e mbylljes janë plotësuar, vendi kandidat përgatit një raport mbi përmbushjen e detyrimeve për kapitujt përkatës, ndërsa për palën tjetër, Komisioni Europian përgatit një Pozicion të Përbashkët Përmbyllës të BE-së, i cili duhet të miratohet nga shtetet anëtare në Këshill. Këto dokumente shkëmbehen gjatë Konferencës Ndërqeveritare dhe kështu kapitulli përkohësisht është i mbyllur. Bisedimet për çdo kapitull të veçantë nuk mbyllen derisa çdo qeveri e vendeve të BE-së të jetë e kënaqur me përparimin e vendit kandidat në atë fushë/sektor, sipas analizës/ vlerësimit nga Komisioni Europian. I gjithë procesi i bisedimeve (negociatave) është i lidhur me mbylljen e çdo kapitulli.

PERFITIMET, SFIDAT DHE DETYRIMET

Sigurisht që hapja e negociatave, përveç rëndësisë politike, ka edhe vlerë konkrete, praktike. Gjithkush mund të pyesë: Cilat janë përfitimet e çdo vendi (dhe ato të Shqipërisë) nga hapja e negociatave te saj me BE-në? Padyshim që përfitimet e një vendi si Shqipëria nga ky proces janë të shumta, si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, por në të njëjtën kohë, edhe përgjegjësitë para të cilave vendoset një shoqëri janë të shumta.

Kështu, p.sh. në lidhje më një fushë të rëndësishme siç është “Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave”, e cila përmbahet në kapitullin e parë, theksohet se “parimi i lëvizjes së lirë të mallrave nënkupton që produktet duhet të tregtohen lirisht nga një pjesë e Bashkimit në një tjetër”. Në një numër sektorësh, ky parim i përgjithshëm plotësohet nga një kuadër rregullator i harmonizuar.

Duke ndjekur vendosjen e specifikimeve të produktit ose rregullimin e standardeve, BE arrin që çdo mall që eksportohet në BE, duhet të ketë të gjitha kërkesat që kërkon Komisioni. Pra çdo subjekt shqiptar që eksporton në BE duhet të plotësojë kërkesat që kërkon BE-ja. Kjo gjë vendos përpara përgjegjësisë nga njëra anë shtetin shqiptar, për vendosjen e rregullave dhe standardeve të kërkuara nga BE, dhe nga ana tjetër, vendos përpara përgjegjësisë edhe sektorin prodhues, i cili duhet t’i vërë në zbatim këto standarde.

Gjithashtu, hapja e negociatave do të mundësojë një mënyrë të re të të berit ekonomi dhe të të bërit biznes, duke nisur që nga modernizimi dhe harmonizimi i legjislacionit ekonomik e financiar shqiptar me atë europian e deri te zbatimi i tij dhe barazia para ligjit. Njëherësh, politikat fiskale dhe publike do të harmonizohen me ato të BE-së, ashtu si edhe politika monetare, ajo e borxhit publik për një konsolidim fiskal të arrirë, politikat e punësimit etj. Njëherësh, kuadri rregullator dhe klima për investimet e huaja duhet të marrë më shumë “ngjyrë europiane” dhe më familjare për tërheqjen e tyre në ekonominë tonë.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi me programet për financime në këtë fazë jo vetëm për asistencë, por dhe për ndërtimin e veprave publike dhe infrastrukturore, sa vjen e rritet. Padyshim që bashkëpunimi në sektorët e rëndësishëm, sidomos në kushtet e ndikimit të krizave të fundit, sidomos në atë energjetik, ushqimor e shëndetësor merr një vëmendje të re etj.

Vazhdimi i reformave rregullatore, i asaj në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, informalitetit, mbeten gjithashtu të rëndësishme për një ekonomi europiane dhe të qëndrueshme… me investime në teknologji e shkencë, në zhvillimin e industrive të dijes, duke riorientuar prioritetet e zhvillimit në përputhje me këtë stad të ri dhe situatat e krijuara.

Pra, nëpërmjet hapjes së negociatave, BE nga njëra anë teston dhe, nga ana tjetër, përgatit vendet kandidate për t’u adoptuar me kushtet e reja dhe specifike që ajo vendos. Kjo gjë nënkupton që shoqëritë e vendeve kandidate duhet të mësohen tashmë që të ecin paralelisht me shoqëritë europiane në një realitet që në shumë aspekte është i ndryshëm. Sektorë të tjerë ku do të ndihet ndryshimi duhen të përshtaten me atë të BE-së dhe të sigurojnë trajtim të njëjtë të qytetarëve të BE-së që do të punësohen në Shqipëri, gjithashtu duhet të harmonizohen rregullat në lidhje me profesionet e rregulluara, për të siguruar njohjen reciproke të kualifikimeve dhe diplomave etj.ipë

Related posts

Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Redaksia

Turizmi duhet mbrojtur nga “mendjexhinjtë” burokratë

Xh M

Pajaziti: BDI po i nënçmon edhe ata që ia bënë “yzmetin”

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky