Shkup, 27 prill – Mënyra se si drejtohen institucionet në një vend tregon edhe mënyrën se si jetojnë qytetarët në atë vend, menaxhimi dobët prodhon cilësi të ulët të jetesës. Prandaj, për të pasur një menaxhim efikas dhe funksional të institucioneve është e domosdoshme që në krye të institucioneve të vendosen njerëzit adekuat. E kjo nuk ndodhë shpesh herë, rrallë herë vendosen njerëzit e duhur në pozitat e duhura, e pastaj për pazare politike këto njerëz largohen nga këto pozita dhe zëvendësohen me të tjerë që janë më pak adekuat për të udhëhequr me institucionet e ndryshme por ja që mbajnë logen e partisë. Javën që lamë pas është organizuar panel diskutimi me temë “Kush dhe si i drejton institucionet” në kuadër të projektit “Inkurajimi i qeverisjes së mirë dhe reformave në administratën publike” mbajtur nga National Endowment for Democracy (NED). Sipas raporteve të publikuara në këtë panel ka rezultuar se 40% e udhëheqësve të institucioneve janë ushtrues detyre, kjo për arsye pasi shumica prej tyre nuk plotësojnë kriteret e duhura për tu emëruar drejtorë fuqiplotë. Përpos, kësaj është konstatuar se ka edhe mungesë të madhe në efikasitetin funksional të institucioneve, shkruan Zhurnal.
Panel diskutimi kush si i drejton institucionet –
Javën që lamë pas është organizuar panel diskutimi me temë “Kush dhe si i drejton institucionet” në kuadër të projektit “Inkurajimi i qeverisjes së mirë dhe reformave në administratën publike” mbajtur nga National Endowment for Democracy (NED).
Paneli është organizuar në Qendrën e Menaxhimit të Ndryshimeve (QMN), ndërsa janë prezantuar gjetjet e dy raporteve kërkimore për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2021 edhe atë raport nga monitorimi i strukturave drejtuese të institucioneve të sektorit publik dhe një raport nga monitorimi i operacioneve financiare dhe materiale të institucioneve të sektorit publik.
Lënda e analizave të këtyre raporteve ishte mes 250 institucioneve nga sektorët e fundit – kulturës, shëndetësisë, arsimit mbrojtjes sociale, organet rregullatorë, ndërmarrje publike, burgjet, organizatat administrative dhe organet administrative.
Në raporte janë të mbuluara disa segmente të funksionimit të institucioneve të përmendura, konkretisht strukturën e drejtorëve si dhe kushtet dhe procedurat e përzgjedhjes, strukturën dhe punën e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, situata me pagat, tarifat dhe zbatimi i buxheteve të institucioneve.
Të gjeturat e hulumtimit i ka prezantuar drejtoresha ekzekutive e QMN-së Neda Maleska Saçmaroska dhe hulumtuesi Jugosllav Gjorgievski, ndërsa si panelistë kanë qenë zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, kryeauditori shtetëror Maksim Acevski, kryetarja e KSHPK-së Biljana Ivanovska, kryetarja e Transparensi Internashinaë Slogjana Taseva dhe shefi i Qendrës për qeverisje të mirë në Institutin për demokraci Societas Civilis, Misha Popoviq.
Raporti i Qendrës për menaxhim me ndryshime tregoi që 40% e institucioneve janë me ushtrues detyre –
Pothuajse 60 për qind e institucioneve kanë të emëruar drejtor, ndërsa rreth 40 për qind e tyre kanë të emëruar vetëm ushtrues detyre drejtor të institucioneve publike, thuhet në raportin e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve. Drejtoresha e kësaj qendre, Neda Maleska Saçmaroska, tha se kjo ndodh për faktin se kuadrot të cilat i emëron partia politike ose nuk i plotëson kriteret arsimore ose kriterin për njohjen e gjuhëve të huaja dhe e gjithë kjo rregullohet përmes pazarllëqeve politike. Drejtoresha e kësaj Qendre pohoi se në vend kemi gjithsej 920 institucione të cilat kanë Borde Drejtuese dhe Mbikëqyrëse, por vetëm 423 kanë dhënë raport për mënyrën e funksionimit.
“Në vend kemi 423 institucione të cilat kanë Borde Drejtuese dhe Mbikëqyrëse dhe numri i personave të angazhuar në këto borde është diku rreth 3.000 persona. Në disa institucione anëtarët e bordeve paguhen me paushalle, ku mbledhjet e tyre janë shumë të rralla, ndërsa në ato institucione ku anëtarët paguhen përmes seancave, atje kemi seanca të shumta, të cilat kanë në shqyrtim zakonisht nga një pikë të rendit të ditës. Pikërisht për këtë kategori, shteti në periudhën 2015-2018 ka paguar rreth 2.5 milion euro. Sa u përket drejtorëve, në shumë raste shohim se ka të emëruar vetëm ushtrues detyre drejtor, sepse të njëjtit nuk plotësojnë kriteret e kërkuara dhe kjo rregullohet përmes pazarllëqeve politike”, tha drejtoresha e Qendrës për menaxhimin e ndryshimeve, Neda Maleska Saçmaroska, transmeton mrt.
Si qëndron gjendja me efikasitetin institucional në bazë të raportit të QMN-së?
Raporti i kësaj qendre, po ashtu thotë se shumë institucione sidomos ato lokale për shkak mos grumbullimit të mjeteve, do të ballafaqohen me bankrot financiar. Në disa institucione ky raport ka konstatuar se një i punësuar e ka pagën më të lartë sesa drejtori i këtij institucioni. Në disa institucione është vërejtur numër shumë i lartë i të punësuarve, e pak qytetarë të cilët marrin shërbimet dhe e kundërta. Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikën e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, thotë se fare pak i është kushtuar rëndësi çështjes së efikasitetit institucional.
“Fakt është se që nga pavarësia e vendit, fare pak u kemi përkushtuar rëndësi këtyre gjërave. Gjatë periudhës së kaluar nuk po bëjmë dallime mes përgjegjësive të pushtetit lokal dhe qendror. Por, tani së bashku me institucionet relevante ndërkombëtare kemi hartuar një program për vendosjen e indikatorëve, të cilët do të japin pasqyrë se cilët institucionet po japin shërbime në drejtim të qytetarëve, e cila jo”, tha zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska. Megjithatë, është e rëndësishme që të shfrytëzohen gjetjen e hulumtimeve të tilla që bëhen në këtë drejtim dhe në mënyrë efikase të eliminohen këto pengesa në funksionim. Partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme në emërimin e drejtorëve dhe funksionarëve tjerë në krye të institucioneve. Pazaret politike për pushtet dëmtojnë procesin normal të funksionimit të institucioneve, prandaj, duhet përgjegjësi dhe përkushtim më serioz në rregullimin e kësaj problematike që vështirëson edhe shërbimin e qytetarëve. /Zhurnal.mk