Agjencia Zhurnal.mk.

Si ndodhë përfundimi i politikanëve në listën e zezë dhe a mund të mbijetojnë pas kësaj politikisht?

Shkup, 15 mars – Lista e zezë në fakt nuk është për nga ngjyra e zezë, është e bardhë por e mbushur me udhëheqës për të cilët vlerëson departamenti i SHBA-ve se kanë veprimtari të zezë. Muajt e ardhshëm, listës së zezë amerikane do t’i bashkëngjiten edhe dy emra, ky ishte paralajmërimi i ambasadores amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler. Ajo tha se një gjë e tillë kërkon kohë dhe hulumtim, në mënyrë që të sigurohen se nuk do të vendoset dikush që nuk përket në atë listë. Por si përfundon dikush në këtë listë dhe pse u ngrit një mekanizëm i tillë sanksionimi nga ShBA-ja? Instituti “Societas Civilis”, e shtjellon në dokumentin e shkurtër për politika “Korrupsioni dhe siguria kombëtare: Si përfundon dikush në listën e zezë të SHBA-ve?”. Por, ajo që krijon habi dhe çudi është fakti se si ka mundësi që personat apo politikanët edhe pasi të futen në listë të zezë të kenë një të ardhme të bardhë, me fjalë të tjera futja e tyre në listë të zezë pamundëson vetëm shkuarjen e tyre në SHBA, por jo edhe aktivitetin e tyre në vendet e tyre, shkruan Zhurnal.

Si përfundojnë politikanët dhe figura të njohura në listën e zezë amerikane?

Baza për futjen e sanksioneve të tilla është Akti Global “Magnitsky“, i cili lejon Qeverinë e SHBA të sanksionojë individë nga e gjithë bota fajtorë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe korrupsion të lartë, duke ndaluar hyrjen dhe ngrirjen e pronave që ata zotërojnë në vend.

Në vitin 2021, bazuar në këtë akt, Presidenti i Shteteve të Bashkuara miratoi një urdhër ekzekutiv të posaçëm që synonte dhe sanksiononte individë nga Ballkani Perëndimor. Nëpërmjet vendimit, SHBA filloi të krijonte një “listë të zezë” të zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm, biznesmenë si dhe persona e kompani nga rajoni të afërta me ta, fajtorë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të përfshirë në korrupsion të lartë.

Në listë ishin edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulimit Sasho Mijallkov. Së fundmi edhe qeveria amerikane njoftoi se do të ndërmarrë përpjekje më serioze për zgjerimin e listës, për të cilën do të jetë e nevojshme mbështetja dhe aleanca e autoriteteve kombëtare.

Sanksionet “Magnitsky” në Ballkanin Perëndimor –

Bazuar në Aktin “Magnitsky”, në qershor 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara nxori një urdhër të posaçëm ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit qeveria amerikane mund të sanksionojë të gjithë personat që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit. Vendimi i referohet atyre që kërcënojnë institucionet demokratike, sigurinë, integritetin territorial, zbatimin e marrëveshjeve të paqes, përfshirë Marrëveshjen e Prespës, si dhe personat e përfshirë në korrupsion të lartë.

Ajo që mund të vihet re është se pothuajse të gjithë personat nga Ballkani Perëndimor që u futën në listën e zezë në prill 2022 akuzohen se kanë përdorur ndikimin e tyre politik për të arritur ndonjë përfitim. Në shumicën e rasteve, kjo është kryesisht për qëllimin e sigurimit të vendeve të punës për njerëzit e tyre të afërt ose në këmbim të ndonjë përfitimi, ose përdorimin e ndikimit për qëllime të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar. Edhe pse pothuajse të gjithë kanë dhënë dorëheqje ose janë shkarkuar nga funksionet publike, ajo që është e përbashkët edhe për personat e sanksionuar nga rajoni është se organet kompetente në sistemet juridike vendase kanë dhënë gjykime për aktet që kanë kryer, por shumica nuk kanë vuajtur dënimin e përcaktuar me ligj.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit tashmë janë Ljube Boshkovski, Menduh Thaçi, Xhevat Ademi, Kastriot Haxhirexha, Nevzat Halili, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Xhavit Hasani, Xhezair Shaqiri, Daut Rexhepi dhe Xhemail Hiseni. Ndërsa në vitin 2003 nga presidenti Bush, nga kjo listë u hoqën emrat e Ali Ahmetit, Fazli Veliut dhe Hysni Shaqirit.

Politikanë nga rajoni të njëjtë me këto të Maqedonisë së Veriut, edhe në listë të zezë edhe në skenë-

Nga Kosova, pos ish- komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylës, ish deputet i PDK-së, në listën e Zezë të SHBA-së, është edhe ish- komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, ish kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht në Hagë, Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, Rrustem Mustafa, deputet i PDK-së, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, Haradin Balaj, Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit edhe shumë emra të tjerë. Por, edhe këto emra ngjashëm sikurse këta të Maqedonisë së Veriut kanë vazhduar veprimtarinë e tyre pa hasur në asnjë pengesë për faktin se janë në listë të zezë.

Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall ‘persona non grata’ (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë. Kjo shkaktoi në bujë të madhe në vend, rajon dhe në Evropë, por që Berisha ishte i vendosur që do ta dëshmonte se ky vendim është i padrejtë ndaj tij. Pra, edhe duke qenë në listë të zezë dhe në moshë të shtyrë arriti që të shkaktojë “revolucion opozitarë” në Shqipëri, duke e marrë sërish timonin e PD-së dhe duke u shndërruar në një lider opozitar që do t’i qëndrojë ballë kryeministrit Rama.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit.

Megjithatë, fokusi i SHBA-së dhe BE-së është pastrimi i Ballkanit Perëndimor nga njerëz të korruptuar, e kjo mbase nuk do të bëhet vetëm me futjen e tyre në listë të zezë por do të duhen edhe veprime tjera që do të ndalojnë veprimtarinë e tyre të zezë. Pasi me këtë avaz pothuajse të gjithë politikanët që po futen në listë të zezë po vazhdojnë me aktivitet e tyre për të siguruar një të ardhme “të bardhë”. /Zhurnal.mk

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky