Agjencia Zhurnal.mk.

Si ta kuptojmë porosinë nga Uashingtoni që të mos blejmë vetura prej VMRO-DPMNE-së?

Shkup, 1 dhjetor – “Shefi i ri i diplomacisë amerikane për Evropë”, siç po quhet më shkurtimisht Xhejms O’Brajan (zyrtari amerikan me titull mjaft të gjatë) -Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka rikthyer fuqishëm në tavolinë temën paksa të harruar kohën e fundit të ndryshimeve kushtetuese, kusht nga i cili varet fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Mesazhet e tij gjatë vizitës në Shkup mbetën pak a shumë nën hije të zhvillimeve intenzive në kuadër të samitit të OSBE-së. Mirëpo, pai bëhet fjalë për mesazhe me përmbajtje mjaft të fuqishme dhe shumë të drejtpërdrejta, ato patjetër duhet të analizohen edhe një herë që të sillen në vëmendje të opinionit, shkruan Zhurnal.

Fillimisht këto mesazhe O’Brajan i ka theksuar në takimin tet-a-tet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. “Kryeministri Kovaçevski dhe ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së, O’Brajan e kanë konfirmuar miqësinë e madhe mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, e cila bazohet në besim të ndërsjellë. U theksua edhe rëndësia e partneritetit strategjik të SHBA-së në përparimin e mëtejshëm të shtetit tonë. U bisedua edhe për çështje aktuale në shtetin tonë, si dhe për çështje të rëndësishme për rajonin më të gjerë”, thuhet në kumtesë.

Në takim u potencua se stabiliteti politik ka rëndësi kyçe në proceset reformuese me rëndësi për qytetarët dhe për zhvilimin. U konstatua se Maqedonia e Veriut me politikat e pjekura dhe vendimet e matura lidershipe, siç thuhet në kumtesë, u bë anëtare e NATO-s dhe tani është para një momenti kthesë që të sigurojë cilësi evropiane të jetesës, siç e meritojnë qytetarët e RMV-së, implementimin funksional të sundimit të së drejtës dhe avancimin e kornizës juridike institucionale në kuadër të procesit të negociatave me BE-në.

“Konkludim i përbashkët nga takimi ishte se është e domosdoshme të gjithë liderët dhe subjektet politike në shtet të kenë parasysh rëndësinë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me hapin e ardhshëm të rrugës drejt BE-së, që do t’i sigurojë perspektivat evropiane të shtetit. Ky është hap që pritet nga Maqedonia e Veriut, si kontribut në progresin demokratik dhe perspektivat e tërë Ballkanit Perëndimor dhe në favor të stabilitetit dhe sigurisë së kontinentit evropian”, kumtuan nga Qeveria e RMV-së.

Kujdes nga kush bleni vetura?

Nëse mesazhet nga takimi me Kovaçevskin na duken pak a shumë protokolare, shumë më interesante ishin mesazhet nga dhe pas takimit me Mickovskin. Fillimisht për takimin informoi VMRO-DPMNE si parti. Në takim, ku kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është shoqëruar nga nënkryetarët e partisë, Timço Mucunski dhe Vlado Misajlovski, bashkëbiseduesit kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira dhe nevojën e shfrytëzimit të përfitimeve nga partneriteti strategjik me SHBA-në.

“Mickoski theksoi se përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian, interesi strategjik i shtetit është edhe mbrojtja e simboleve kombëtare dhe identitare të popullit maqedonas dhe të Maqedonisë. Mickoski pohoi nevojën për një luftë serioze kundër korrupsionit dhe krimit si dhe domosdoshmërinë e reformave sistematike që do të përmirësojnë standardin e shtetit.
Bashkëbiseduesit trajtuan edhe disa çështje me rëndësi rajonale”, u tha në njoftimin zyrtar të VMRO-DPMNE-së. Mirëpo pikërisht pjesa e fundit e kumtesës, si duket ishte shkaku pse me kumtesë për takimin ka dalë edhe ambasada amerikane në Shkup, që zakonisht nuk ndodhë.

“Siç theksoi O’Brien, SHBA-të fuqimisht përkrahin rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE, si dhe rolin e rëndësishëm që partitë politike duhet ta luajnë në përkrahjen e këtij procesi”, thuhet në kumtesën “sqaruese” nga Ambasada Amerikane. Edhe më i ashpër O’Brajan ka qenë në intervistën e dhënë për emisionin “360 Gradë”, ku në njëfarë mënyre drejtpërdrejtë u ka bë apel qytetarëve të mos votojnë VMRO-DPMNE-në, nëse kjo parti nuk tregon se si mendon ta zgjidhë çështjen e ndryshimeve kushtetuese, deri sa insiston se ka zgjidhje për këtë problem, shkruan Zhurnal.

“Nëse thonë-kam ofertë më të mirë (për ndryshimet kushtettuese, v.j.), por nuk do të ju tregojmë tani se cila është ajo-bëhet fjalë për person prej të cilit nuk do të blenit veturë. Prandaj, mendoj se edhe nuk duhet të votoni për ta”, ka theksuar O’Brien.

Sllovenia mike me apel për ndryshime sa më te shpejta

E rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese e ka theksuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon. Ajo deklaroi se ndryshimet kushtetuese janë vendimtare që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe bëri thirrje që të gjitha partitë politike t’i mbështesin ato. Me tone miqësore, siç vijnë vazhdimisht nga Sllovenia, fajon ka bë apel të mos lëshojmë rastin që kemi, shkruan Zhurnal.

“U bëj thirrje të gjitha partive përgjegjëse në këtë vend që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm, siç është ndryshimi i Kushtetutës, që të mundet ky proces i zgjerimit dhe negociatave paraaderuese të vazhdojë. Është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe qytetareve dhe është thelbësore që Maqedonia e Veriut të ecë përpara drejt BE-së. Sot zgjerimi është shndërruar në një urgjencë gjeostrategjike dhe prandaj i uroj edhe një herë Maqedonisë së Veriut shumë guxim, shumë vetëbesim, punë solide”, tha Fajon në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Edhe sipas zëvendëskryeministrit Mariçiq, pranimi i ndryshimeve kushtetuese është hapi i vetëm për të vazhduar integrimin evropian.

“Në raportin e progresit për këtë vit, Komisioni Evropian na dërgoi një mesazh të fortë se duhet të vazhdojmë dhe të intensifikojmë punën në këtë rrugë në të cilën jemi deri tani dhe të forcojmë nivelin e mirë të gatishmërisë. Kemi progres në 80 për qind të kapitujve dhe nuk ka asnjë kthim prapa në asnjë kapitull. Nuk do të thotë se kemi përfunduar gjithçka, por do të thotë se kemi një bazë të mirë për të vazhduar më tej”, tha Mariçiq./Zhurnal

Related posts

Kompletohen grupet e punës për formimin e Qeverisë, do të takohen ditët e ardhshme

Redaksia

Kërcënime në stil mafioz ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese: Një Krevat dhe një thikë i futen në garazhën e shhtëpisë

I Z

Intervistë ekskluzive e ish presidentit Ilir Meta: Vullneti i qytetarëve në Shqipëri do të triumfojë siç triumfoi në Maqedoni!

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky